Komiteti për Studimin e Efekteve të Ndryshimeve Klimatike (EMEKA) i Bankës së Greqisë vlerësoi koston e ndryshimeve klimatike të parashikuara për ekonominë greke në afërsisht 1% të PBB-së, ose 2.3 miliardë euro në vit deri në vitin 2100. Kjo kosto merr parasysh barrën e çdo mosveprimi adaptues, gati 200 miliardë euro deri në vitin 2100 me një normë skontimi 2%, por edhe përfitimin prej 30%, nga marrja e masave përshtatëse.

Në fund të vitit 2024 do të publikohet raporti përfundimtar, i cili ndër të tjera do të përfshijë ndryshimet klimatike të dekadave të ardhshme, të cilat parashikojnë një sërë problemesh. Një prej tyre është rritja mesatare e temperaturës prej 1,2°C deri në 2°C, në raport me periudhën 1971-2000, në varësi të skenarit të emetimit të gazeve serrë.

Vitet 2050 përfshijnë pikën kthesë përtej së cilës ndërhyrja antropogjene në klimë do të jetë e pakthyeshme. Pas vitit 2060, rritja e temperaturës mesatare do të arrijë rreth 2°C deri në 5°C, në varësi të skenarit të emetimeve.

Rritja e numrit të ditëve me nxehtësi në ultësira do të jetë gjithashtu e ndjeshme, deri në 10-15 ditë nga mesi i shekullit dhe deri në 30-50 ditë deri në vitin 2100, nëse nuk merren masa për të kufizuar emetimet e CO2.

Do të ketë ulje të ndjeshme të reshjeve pas vitit 2050, veçanërisht në pjesët më jugore të vendit. Rreth 40% e Greqisë, veçanërisht pjesët lindore dhe jugore, janë në rrezik të shkretëtirëzimit deri në fund të shekullit, nëse nuk merren masa globale për të kufizuar gazet serrë.

Pritet rritje e numrit të ditëve me rrezik nga zjarri: nga 10 në 20 ditë të tjera zjarri nga mesi i shekullit dhe nga 15 në 50 ditë të tjera me rrezik të shtuar deri në fund të shekullit.

Nga mesi i shekullit, nivelet e deteve pritet të rriten me 15 deri në 20 cm dhe me 20 deri në 80 cm deri në fund të shekullit, në varësi të evolucionit të emetimeve të gazeve serrë, me pasoja që përfshijnë bujqësinë në zonat bregdetare.

Sipas studimeve, ngjarjet ekstreme të motit në mbarë botën vlerësohet të ulin normën e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto me më shumë se 0.5 pikë përqindjeje në vitin që ndodhin. Edhe nëse prodhimi rimëkëmbet gradualisht, pasiguria e shtuar do të vazhdojë të ndikojë në zgjedhjet e konsumit dhe investimeve, produktivitetin e punës dhe punësimin, me efekte të mundshme negative në aktivitetin ekonomik.

Në lidhje me inflacionin, studimet e fundit tregojnë se ngrohja e tepërt në muajt e verës ushtron presion në rritje mbi çmimet e ushqimeve, veçanërisht në vendet më të ngrohta./Scan