Interesi për bimët mjekësore dhe aromatike që prodhohen në Shqipëri është në rritje vit pas viti, pavarësisht se eksportet gjatë vitit 2023 pësuan rënie në raport me vitin 2022.

Eksportet janë të përqendruara kryesisht në SHBA, ku peshën më të madhe e zë tregtia e Sherbelës.

“Eksportohet kryesisht sherbelë dhe që ka një bum në SHBA, pasi zë 66% të importeve amerikane është sherbela shqiptare, e cila po shkon tashmë edhe produkt përfundimtar për industrinë ushqimore në SHBA. Shtetet kryesore ku ne eksportojmë janë SHBA, me 33%, Gjermania, Franca, Italia dhe vende të tjera deri në Australi. Përveç sherebelës, është rigoni, është trumza, dëllinja e zezë dhe esencat e disa lloje bimësh”, thotë Hysenaj.

Deri në fillim të dhjetorit të vitit që lamë pas, u eksportuan drejt Amerikës 12 milionë dollarë sherbelë.

“Eksporti vjetor i sherbelës drejt SHBA, arrin nga 3800 tonë deri në 4900 tonë, rreth 12 milionë dollarë. Sherbela shqiptare ka aromë të veçantë dhe është ndryshe nga ajo turke, indiane dhe të tjera. SHBA e përdor kryesisht për industrinë e mishit”, pohon Hysenaj.

Xhavit Hysenaj kryetar i shoqatës së bimëve mjekësore thotë për Report TV, se 4 mijë familje fermerë që punojnë në këtë aktivitet duhet të mbështeten nga shteti me financim pasi fitimet e tyre janë në rënie, që pritet të thellohen më tej gjatë këtij viti.

“Për të gjitha bimët që prodhohen në trojet tona ka interes në tregun ndërkombëtar. Problemi është ne nga 176 lloj bimësh që eksportonim disa vite më parë, ne tashmë eksportojmë jo më shumë se 1/3 të tyre. Nëse nuk kemi mbështetje tek fermerët do të lënë tokat djerrë”, thotë Hysenaj.

Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e grupit të farave vajore, bimëve industriale apo medicinale, dhe ushqimit për kafshët, nga janari deri në nëntor 2023 ishin në vlerën 46.6 milionë dollarë nga 56.8 milionë dollarë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Kjo rënie ka ardhur kryesisht prej forcimit të lekut kundrejt valutave.

VLERA E EKSPORTEVE
Viti 2022                  56,835,757 euro
Viti 2023                  46,601,608 euro
Diferenca                -10,234,149 euro