Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, përkushtimin për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe situatën e sigurisë në rajon e më gjerë.

Presidentja Osmani falënderoi sekretarin Cameron për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, derisa këtu ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.

Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç'rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator.

Tutje Osmani falënderoi sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë. Në këtë drejtim, presidentja foli edhe për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb.

Osmani shtoi në fund se pavarësisht përpjekjeve të Serbisë, Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim.

Cameron u prit gjatë ditës edhe nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ndërsa mbrëmë ai zhvilloi një darkë pune me kryeministrin Albin Kurti dhe ministra tjerë të kabinetit qeveritar./aa