Një i burgosur palestinez i diagnostikuar me kancer ka ndërruar jetë në një burg izraelit, sipas Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë.

Assef Al-Rifai, 22 vjeç, u transferua nga burgu Ramla në Qendrën Mjekësore Assaf Harofeh ku u shpall i vdekur, tha në një deklaratë Shoqata e të Burgosurve Palestinezë.

Al-Rifai, nga qyteti Kafr Ein pranë Ramallahut në pjesën qendrore në Bregun Perëndimor, u arrestua nga forcat izraelite në shtator të vitit 2022.

Vdekja e tij e çon numrin e të burgosurve palestinezë të vdekur në Izrael që nga data 7 tetori, në 11.

Palestinezët kanë akuzuar Izraelin për zbatimin e politikave të urisë dhe neglizhencës mjekësore ndaj të burgosurve si pjesë e masave ndëshkuese kundër palestinezëve pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.

Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që kur Izraeli nisi ofensivën e pamëshirshme ushtarake kundër Rripit të Gazës pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Të paktën 411 palestinezë janë vrarë që atëherë, mbi 4.600 janë plagosur dhe 7.120 të tjerë janë arrestuar nga forcat izraelite në të gjithë Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për sulmet shkatërruese dhe të pamëshirshme në Rripin e Gazës, në të cilat kanë vdekur mbi 30 mijë njerëz. Në një vendim të përkohshëm në janar, gjykata me bazë në Hagë urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa