Forcat izraelite vranë një palestinez dhe plagosën 7 persona gjatë një bastisjeje në qytetin Beit Rima të Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas lajmit të agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, bazuar në burime shëndetësore, ka humbur jetën Esid Tarik Enis al-Rimavi (17), i cili u qëllua në gjoks me një plumb të vërtetë gjatë bastisjes së kryer nga ushtarët izraelitë në vendbanimin Rima.

Shtatë palestinezë të plagosur në bastisje u transferuan në Spitalin Shtetëror Salfit në Bregun Perëndimor.

Të paktën 2 palestinezë u plagosën me plumba të vërtetë gjatë bastisjes së ushtrisë izraelite në kampin e refugjatëve Balata në qytetin e Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Gjatë ndalimeve dhe bastisjeve në shtëpitë palestineze në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor, forcat izraelite kryen shkelje të tilla si keqtrajtim, rrahje, kërcënim ndaj të burgosurve dhe familjeve të tyre, hapjen e zjarrit të drejtpërdrejtë me qëllim për të vrarë dhe shkatërrimin e shtëpive palestineze.

Që nga 7 tetori, kur forcat izraelite nisën sulmet në Gaza, ka pasur rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./aa