Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se këtë vit nis puna për hartimin e strategjisë së re të Turizmit që do të paraprijë vizionin e gjithë sektorit deri në vitin 2030.
Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro tha se, për hartimin e strategjisë së re të Turizmit, kontributin mund ta japin të gjithë.
“Kjo është një ftesë për të marrë pjesë në pyetësorët që do të na shërbejnë më pas për të pasur në dorë një platformë sa më gjithëpërfshirëse, koherente, që i prin tregut, orienton tendencat, përmbush e lehtëson marrëdhëniet mes aktorëve të sektorit publik e privat”, u shpreh Kumbaro.
Shqipëria gjatë këtij viti ka shënuar një numër rekord turistësh. Përveç shifrave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.
Vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.
Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare, të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./ata