Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha falënderoi sot përmes një mesazhi në rrjetet sociale ish-kryeministrin britanik, David Cameron për vizitën në Kosovë, duke e cilësuar domethënëse.

“Falemnderit David Cameron për vizitën domethënëse të nisjes së vitit në Republikën e Kosovës dhe për mesazhet e qarta në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe vlerave euroatlantike për Kosovën dhe të gjithë rajonin”, shkroi Basha në rrjetet sociale.

“Mirënjohës për rolin vital që Mbretëria e Bashkuar luan së bashku me NATO-n për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe investimin në një të ardhme më të mirë për të gjithë popujt tanë”, vijon mesazhi i Bashës.

“Shqiptarët janë të privilegjuar të qëndrojnë krah një mikeje dhe aleateje si Mbretëria e Bashkuar”, përfundoi Basha.

Kreu i PD-së ripostoi takimin e Cameron me trupat britanike në KFOR të cilët i falënderoi për përkushtimin në mbështetje të Kosovës dhe sigurisë rajonale./ata