Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, deklaroi sot se tashmë zyrtarisht janë hapur korridoret ajrore me Shqipërinë.

Ai në një postim në Facebook, Aliu ka shkruar se ky ishte synim i kahershëm që shënon një arritje të rëndësishme në fushën diplomatike në mes dy shteteve.

“Fluturimet në drejtim të perëndimit dhe ato reciproke janë shkurtuar dukshëm, e përveç se po udhëtojmë lirshëm pa viza në zonën Shengen, tani qytetarët tanë po përfitojnë substancialisht edhe nga optimizimi i kohës në udhëtime”, shkroi Aliu.

Që nga paslufta, fluturimet nga/dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, teksa marrëveshja me Shqipërinë për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.