Brenda Rivierës së njohur Shqiptare ndodhet një qytet që është cilësuar si “Maldivet e Evropës” dhe një nga destinacionet më të mira për t’u vizituar në vitin 2024. Ne do ju tregojmë gjithçka që duhet të dini për këtë vend idilik, shkruan e përditshmja spanjolle “La Sexta”.

Me ardhjen e vitit 2024, shumë turistë kanë vendosur të udhëtojnë dhe të shohin vende të reja apo të zbulojnë destinacione të mahnitshme.

A e dini se cili është qyteti i njohur si “Maldivet e Evropës”? Një qytet port në Shqipëri që ndodhet në Gjirin e Vlorës.

Vitet e fundit qyteti bregdetar është kthyer në një destinacion turistik falë plazheve të tij që janë pjesë e Rivierës Shqiptare.

Vlora ndodhet në Shqipërinë e Jugut, pranë Lagunës së Nartës dhe gadishullit të Karaburunit që e rrethon atë, në brigjet e ishullit të Sazanit.

Gjithashtu, porti i saj është i dyti më i rëndësishëm në vend pas Durrësit.

Klima mesdhetare me verë të nxehtë e të thatë dhe me temperatura që i afrohen 40 gradëve në verë, bën që plazhet e Rivierës Shqiptare të dallohen si zona pushimi.

Rritja turistike e bregdetit shqiptar ka krijuar një strukturë hotelesh, restorantesh dhe shërbimesh të tjera luksoze që plotësojnë plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare.

Përveç plazheve, Vlora ofron edhe vende të tjera turistike si kala, xhami, kisha, muze dhe monumente.

Disa nga pikat turistike janë Sheshi i Flamurit, Monumenti i Pavarësisë, mbetjet e mureve të qytetit antik të Aulonit, Muzeu Historik, Muzeu i Pavarësisë dhe Muzeu Etnografik, Xhamia e Muradies, Teqeja e Kuzum Babës apo Kalaja e Kaninës.