Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për dënimin me tre vjet e tetë muaj burgim për ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës.

Gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues për deputetin Lekaj, përmes së cilit ia ndalon për një periudhë prej tre vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit në administratën publike.

Dënimi i ish-ministrit dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës lidhet me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë për një konsorcium për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Bashkë me Lekajn janë dënuar me burgim edhe ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, me një vjet e tetë muaj, drejtori i Prokurimit, Besim Tahiri, me një vjet e tetë muaj dhe ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha, me tre vjet e tre muaj.

Në deklarimet e tyre paraprake të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, derisa avokatët e të dënuarve deklaruan se vendimin e Gjykatës Themelore do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit.

Autostrada Prishtinë-Shkup, e quajtur "Arbën Xhaferi" dhe e inauguruar në vitin 2018, ka një gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.

Lekaj ka shërbyer si ministër i Infrastrukturës nga viti 2017 deri në vitin 2020./aa