Azerbajxhani është një nga vendet me potencial të lartë për burimet e rinovueshme të energjisë.
Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov në një intervistë për ATSH shpjegoi zgjerimin e dimensionit të gjelbër të strategjisë energjitike të Azerbajxhanit.
Duke folur për projektin TAP, Huseynov u shpreh se, “ky projekt luan një rol të rëndësishëm në eksportet e energjisë së Azerbajxhanit dhe forcon pozicionin e tij si një nga furnizuesit kryesorë të energjisë në Europë.
“Azerbajxhani ka rritur eksportet e tij të gazit natyror në vendet e BE-së nga 8.2 bcm në 2021 në 11.8 bcm në 2023 dhe planifikon të arrijë nivelin e të paktën 20 bcm në 2027. Vendi ka potencialin për të rritur eksportet e tij në të ardhmen, ashtu siç është duke zhvilluar fusha të reja të gazit dhe zgjeruar infrastrukturën e saj të transportit”.
“Ne shpresojmë që Shqipëria, si anëtare e familjes së TAP-it, do të përfitojë në vitin 2026 nga ky projekt, jo vetëm si vend tranzit, por edhe si përfitues i gazit natyror. Pas marrëveshjes së nivelit të lartë arritur midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë në vitin 2022, kompanitë tona përkatëse ndodhen aktualisht në bisedime dypalëshe, përfshirë vendosjen në terren në Shqipëri, për të promovuar projektin pilot të gazifikimit të qytetit të Korçës, për të kontribuar në sigurinë energjetike të vendit mik”, theksoi ai.
Ai nënvizoi se, “potenciali teknik i burimeve të rinovueshme të energjisë tokësore të vendit është 135 GV (gigavat) ndërsa ai detar është 157 GV. Potenciali ekonomik i burimeve të rinovueshme të energjisë llogaritet në 27 GV, duke përfshirë 3.000 MV (megavat) energji ere, 23.000 MV energji diellore, 380 MV potencial bioenergjitik dhe 520 MV energji lumenjsh malorë. Pavarësisht se vendi është i pasur në burime hidrokarbure energjitike dhe i njohur si një eksportues i energjisë fosile në botë, përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë tani i kushtohet vëmendje e shtuar dhe ajo u shndërrua në një nga objektivat kryesore të politikës së sigurisë energjetike të Azerbajxhanit”.
“Azerbajxhani ka bërë disa përparime të rëndësishme të politikës së energjisë së rinovueshme, siç është miratimi i një tarife nxitëse për energjinë diellore, prezantimi i një sistemi të certifikatës së gjelbër dhe prezantimi i një fondi të energjisë së rinovueshme. Përveç kësaj, vendi ka zbatuar një sërë projektesh të energjisë së rinovueshme, si ndërtimi i një impianti diellor prej 10 MV dhe një ferme me erë prej 10 MV. Azerbajxhani ka njoftuar gjithashtu planet për të instaluar 700 MV kapacitet diellor, 1.000 MV kapacitet të erës dhe 1.000 MV kapacitet hidro deri në vitin 2025”, theksoi Huseynov.
“Më 22 shtator 2020, u krijua Agjencia e Energjisë së Rinovueshme të Azerbajxhanit nga Ministria Energjitike e Republikës së Azerbajxhanit, me dekret të Presidentit të Republikës së Azerbajxhanit me të njëjtën datë, si dhe ligjet përkatëse dhe aktet ligjore normative u përshtatën me qëllim zhvillimin e sektorit të burimeve të energjisë së rinovueshme në vend, për të përmirësuar mjedisin legjislativ dhe institucional në këtë fushë”, shtoi ai.
“Mjedisi i pastër, ndryshimet klimatike dhe aplikimi i energjisë së rinovueshme në të gjithë sektorët e ekonomisë janë ndër prioritetet kombëtare për zhvillimin socio-ekonomik të Azerbajxhanit deri në vitin 2030. Këto prioritete janë gjithashtu të një rëndësie të veçantë në funksion të zbatimit të detyrimeve që burojnë nga OKB, “Transformimi i Botës: Axhenda për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030”, tha më tej Huseynov.
Sipas tij, “kapaciteti i përgjithshëm i prodhimit të energjisë së Azerbajxhanit është 7.954 MV, nga të cilat kapaciteti hidroenergjetik është 1159.2 MV (15%), kapaciteti i energjisë së erës 66.1 MV (0.82%), kapaciteti i bioenergjisë 37,7 MV (0.48%) dhe kapaciteti i energjisë diellore 51,9 MV (0,65%). Në vitin 2023, energjia elektrike e prodhuar nga burimet e rinovueshme të energjisë përbënte vetëm rreth 8% të prodhimit total, por deri në vitin 2030, Baku ka vendosur objektivin kryesor për të rritur pjesën e kapacitetit të instaluar të energjisë së rinovueshme deri në 30% në bilancin e përgjithshëm të energjisë së vendit. Për këtë qëllim, është planifikuar krijimi i gjithsej 1.500 MV kapacitete të reja prodhuese në kurriz të burimeve të rinovueshme”.
Pra, vijoi Huseynov, “gjatë viteve të fundit, përveç tërheqjes të investimeve të mëdha të suksesshme të brendshme dhe të huaja direkte në sektorin e burimeve të rinovueshme, Azerbajxhani ka bashkëpunuar ngushtësisht me organizatat ndërkombëtare dhe donatorët për këtë qëllim”.
“Pas çlirimit të territoreve tona të pushtuara (Karabakut dhe 7 rajoneve përreth) deri në fund të vitit 2020, Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit Z. IlhamAliyev nënshkroi një dekret për masat e krijimit të Zonës së Energjisë së Gjelbër në këto territore, i cili u pasua me miratimin e një Plani Veprimi përkatës për periudhën 2022-2026. Tashmë janë bërë llogaritjet e sakta dhe prodhimi i vetëm energjisë diellore dhe energjisë së erës mund të arrijë në këtë zonë rreth 10.000 megavat”, u shpreh më tej Huseynov.
Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri theksoi se, “rreth 25% e burimeve të brendshme ujore të Azerbajxhanit i përket pjesës së territoreve të çliruara, e cila është afërsisht 2.56 miliardë metra kub (bcm) në vit. Tashmë ne kemi vënë në punë hidrocentrale me kapacitet 170 megavat dhe deri në fund të këtij viti do të jenë 270 megavat dhe brenda harkut kohor të dy-tre viteve do të jenë 500 megavat hidrocentralesh, që do të jetë një tjetër kontribut i rëndësishëm në tranzicionin e energjisë së gjelbër”.
“Ekziston një potencial i favorshëm për zbatimin e projekteve të energjisë diellore në këto territore. Kështu, rajonet Zangilan, Jabrayil, Gubadli dhe Fuzuli janë rajonet e dyta më të favorshme në vend, ndjekur nga Republika Autonome e Nakhçivanit (enklavë e Azerbajxhanit) sipas rrezatimit diellor të vëzhguar. Ekzistenca e potencialit të favorshëm të erës në territoret e çliruara, veçanërisht në zonat malore të rajonit të Laçinit dhe Kalbajarit, u përcaktua sipas studimeve paraprake. Në vitet e mëparshme janë kryer kërkime shkencore përkatëse në lidhje me ekzistencën e burimeve të energjisë gjeotermale në territoret e çliruara. Energjia gjeotermale përdoret kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike (me fluks temperature dhe temperaturë të favorshme), furnizim me energji termike dhe qëllime turistike-balneologjike. Analizat paraprake tregojnë se ka burime gjeotermale në pjesën malore të Kaukazit të Vogël (4000-5000 metër kub në ditë (30-74°C). Bazuar në vëzhgimet paraprake, është më e leverdishme që ky potencial të përdoret respektivisht për furnizim për ngrohje dhe për qëllime balneologjike”, nënvizoi ai.
“Siç është një fakt i mirënjohur, Azerbajxhani ka eksportuar gaz natyror në Europë që prej vitit 2007 përmes Gazsjellësit të Kaukazit Jugor, i cili kalon nga fusha e gazit “Shah Deniz” në Azerbajxhan deri në Turqi, nëpërmjet Gjeorgjisë. Në vitin 2020 u vu në punë Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), i cili lidh Azerbajxhanin me Italinë nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Gazsjellësi është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, një projekt që synon të transportojë gazin nga rajoni i Kaspikut në Evropë”, shtoi Huseynov.
“Vlen gjithashtu të përmendet se Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e quajti Azerbajxhanin një partner të besueshëm në fushën e energjisë gjatë vizitës së saj në vendin tim më 18 korrik 2022 dhe më pas u nënshkrua një marrëveshje për bashkëpunimin strategjik midis palëve”, tha më tej ai.
Azerbajxhani, shtoi Huseynov, “përveç rritjes së furnizimit me gaz në Europë, do të ndihmojë gjithashtu edhe partnerët e tij në kalimin drejt burimeve të pastra të energjisë. Në kuadër të vizitës së Presidentit Ilham Aliyev në Rumani, më 17 dhjetor 2022 u nënshkrua “Marrëveshja ndërmjet qeverive të Republikës së Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Rumanisë dhe Hungarisë për partneritet strategjik në fushën e zhvillimit dhe transferimit të energjisë së gjelbër”. Marrëveshja, në thelb hap një fazë të re në bashkëpunimin energjetik Azerbajxhan-BE, duke hedhur themelet për një “korridor të gjelbër” që do të lidhë Kaukazin Jugor me Evropën”.
“Qëllimi kryesor i kësaj nisme është ndërtimi i gjeneratorëve të erës, mullinjve me erë, paneleve diellore në mënyrë që të reduktohet nevoja për gaz në Azerbajxhan dhe të rritet furnizimi me gaz në Evropë. Gjithashtu, në vitin 2026, Azerbajxhani pritet të fillojë shpërndarjen e energjisë elektrike në Evropë përmes një kablloje që do të shtrihet nën Detin e Zi. Pra, në vitet në vijim Azerbajxhani do të jetë gjithashtu partner i besueshëm i Evropës në fushën e eksporteve të energjisë elektrike me burim nga burimet e rinovueshme”, shpjegoi ai.
“Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, unë do dëshiroja që të përmendja se angazhimi i fortë i Azerbajxhanit për të nxitur agjendën lokale, rajonale dhe globale për zhvillim të qëndrueshëm, duke përfshirë sfidat e ndryshimeve klimatike dhe energjinë e pastër, luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e vendit tim për të pritur Samitin e ardhshëm të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29) në Baku. Ky vit është shpallur gjithashtu nga presidenti Aliyev si “Viti i Solidaritetit Botëror të Gjelbër” në Azerbajxhan”, përfundoi Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov./ata