Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi sot një takim të ngrohtë, të hapur dhe produktiv me pjesëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë nga Mbretëria e Bashkuar: deputetët Matthew Offord dhe Tan Dhesi nga Dhoma e Komuneve, Baroneshën Tessa Blackstone dhe Baroneshën Jane Bonham Carter nga Dhoma e Lordëve, të cilët kanë ardhur në një vizitë në Kuvendin e Shqipërisë. Në takim mori pjesë edhe deputeti Lavdrim Krashi, kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë takimit u diskutua mbi fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh dhe parlamentar mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe u rikonfirmua vullneti i të dy palëve për ta zgjeruar e intensifikuar këtë bashkëpunim.

Nikolla nënvizoi se “Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe dhe një dialog politik intensiv, të mbështetur edhe nga Deklarata e Përbashkët e Kryeministrave Rama dhe Sunak e vitit 2022. Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për avancimin e reformës në drejtësi dhe reformave të tjera demokratizuese. Bashkëpunimi parlamentar po intensifikohet dhe diplomacia parlamentare po nxit bashkëpunimin dypalësh.”

Anëtarët e delegacionit parlamentar të miqësisë nga Mbretëria e Bashkuar vlerësuan shumë pozitivisht shpejtësinë e ndryshimeve në Shqipëri, avancimin e reformave dhe rolin e rëndësishëm dhe konstruktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin për reduktimin e flukseve të imigrimit ilegal dhe nënvizuan se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për avancimin e reformës në drejtësi dhe reformave të tjera demokratizuese do të vijojë.

Kryetarja e Kuvendit, Nikolla dhe anëtarët e delegacionit ranë dakord të vijojnë shkëmbimin e përvojave respektive në procesin legjislativ dhe kontrollin parlamentar dhe të intensifikojmë shkëmbimet e grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe deputetëve./ata