Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se edhe në vitin 2024 Kosova po e trashëgon një fqinj të vjetër i cili po përkeqësohet.

Në mbledhjen e parë të rregullt të Qeverisë së Kosovës për vitin 2024, Kurti tha se ky vit përkundër lajmit të mirë për liberalizimit të vizave, filloi edhe me arrestimin e dy kosovarëve Hasan Dakaj dhe Xhavit Dakaj të cilët u ndaluan dhe arrestuan në kufi me Serbinë.

"Javën e kaluar Hasan dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet rast të izoluar. Kjo është një sjellje e qëllimshme, dashakeqe e Serbisë, që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut", theksoi Kurti.

Vëllezërit Dakaj u ndaluan në Merdare më 5 janar, ndërsa Hasan Dakajt, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), iu caktua paraburgimi prej një muaji nga autoritetet serbe, derisa Xhavit Dakaj u la i lirë.

Kurti tha se përpos këtij rasti, Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe dy qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, Petrit Dula dhe Nezir Mehmetaj të dy të mbajtur nga autoritetet serbe për gjoja kryerjen e krimeve kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Ai tha se Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë më 27 shkurt 2023 se Marrëveshja Bazike midis Kosovës dhe Serbisë ishte arritur, ndërsa këtu përfshihet edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me njëra-tjetrën bazuar në të drejtat e barabarta.

Sipas Kurtit, Serbia po zgjedh çdo gjë tjetër, mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën, derisa paraqet rrezik jo vetëm për qytetarët kosovarë, por edhe ata serbë.

"Ajo (Serbia) së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe për qytetarët e saj, sidomos ndaj atyre ndaj atyre që pranojnë se përmes kërkim-faljes për gjenocidin e kryer në Kosovë ndërtojnë bazë të zhvillimit të marrëdhënieve të mira paqësore e të pajtimit. Kështu është rasti me liderin opozitar serb Nikolla Sanduloviq, kryetar i Partisë Republikane atje, për të cilin krahas torturave fizike ndaj tij, shteti serb zgjedh të ngritë aktakuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare sepse ai u përkul para varrit të 7-vjeçares Blerina Jashari e vrarë nga forcat serbe në Prekaz në marsin e vitit 1998", theksoi Kurti.

Sipas tij, Serbia është vendi ku Millan Radojçiq, si përgjegjës i sulmit në Banjskë të Komunës së Zveçanit më 24 shtator 2023, në vend që të përgjigjet para autoriteteve serbe të drejtësisë, "ai merr pjesë në rrahjen brutale të Nikolla Sanduloviqit".

Kurti në fund tha se Serbia po vazhdon rrugëtimin e saj drejt metodave të Putinit, duke frikësuar dhe torturuar kundërshtarët politikë në drejtim të kundërt me obligimet në kuadër të Marrëveshjes Bazike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi "gjithnjë e më larg vlerave të Bashkimit Evropian"./aa