Rruga Qukës-Qafë Plloçë nxit zhvillimin e turizmit në zonën e Pogradecit dhe Korçës, si dhe shkurton ndjeshëm distancën me Tiranën.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, ku aktualisht kanë përfunduar 10.5 kilometra në Lotin 2.

Rama u shpreh se ky segment është plotësuar me të gjitha parametrat e sigurisë rrugore me sinjalistikë vertikale/horizontale, guardreil dhe bankina.

Ndërkohë kryeministri theksoi se në të 3 lotet punimet po vijojnë me qëllim përfundimin e plotë të këtij projekti të shumëpritur.

I gjithë financimi për ndërtimin e tre loteve të rrugës Qukës-Qafë Plloçë arrin në 255.8 milionë dollarë.

Ky projekt përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.

Po ashtu, rruga lehtëson trafikun, ndikon në zhvillimin e bujqësisë së zonës rurale të Mokrës dhe fshatrave përreth, si dhe shkurton kohën për transportin e mallrave nga porti i Durrësit për në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Ndërkohë, puna për ndërtimin e lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025./ata