Pas sulmeve që SHBA-ja dhe Britania kryen ndaj Jemenit me arsyetimin për të garantuar tregtinë detare, grupi Houthi deklaroi se do të vazhdojnë të shënjestrojnë anijet izraelite.
Zëdhënësi i Houthive në Jemen, Mohammed Abdul Salam, në një deklaratë në "X" theksoi: "Republika e Jemenit u përball me një sulm të poshtër amerikano-britanik për të mbrojtur Izraelin dhe për të ndaluar operacionet mbështetëse të Jemenit për Gazën. Kanë bërë çmenduri me këtë agresion të pabesë".
Abdul Salam tha se mbështetja e tyre për Palestinën dhe Gazën do të vazhdojë.
"Gabohen nëse mendojnë se do të pengojnë Jemenin nga ofrimi i mbështetjes për Palestinën dhe Gazën. Jemeni do të qëndrojë pranë Gazës me çdo gjë që mundet duke vazhduar qëndrimin e tij fetar dhe human. Këto sulme do të rrisin soliditetin dhe fuqinë e Jemenit", ka shtuar ai.
Duke vënë në dukje se nuk kanë paraqitur asnjë kërcënim për detarinë ndërkombëtare përveç shënjerstrimit të anijeve izraelite dhe se sulmet amerikano-britanike nuk kanë asnjë justifikim të drejtë, Abdul Salam është shprehur: "Këto sulme kundrejt Jemenit nuk kanë kategorikisht asnjë arsye të drejtë. Nuk kishte asnjë kërcënim për lundrimin ndërkombëtar në Detin e Kuq dhe Detin Arabik. Nuk shënjerstroheshin objektiva përveç anijeve izraelite dhe anijeve që shkonin në portet palestineze nën pushtim dhe këto do të vazhdojnë të jenë nën shënjestër".
Burimet lokale në Jemen njoftuan se avionët luftarakë të SHBA-së dhe Britanisë kanë kryer sulm ajror kundrejt disa pikave në qytetet Sana, Al-Hudaydah dhe Taiz të Jemenit gjatë orëve të natës.
Teksa në lidhje me sulmet nuk u nda ndonjë informacion i detajuar, pamjet lidhur me sulmet ajrore u paraqitën në llogaritë e mediave sociale.
Ngjarjet në Detin e Kuq
Pas veprimeve nga grupi Houthi në Jemen në kohët fundit kundrejt anijeve tregtare në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza, shumë kompani detare morën vendim të ndalojnë udhëtimet e tyre në Detin e Kuq.
Më 6 dhjetor 2023, Pentagoni njoftoi se kanë zhvilluar bisedime për të krijuar një "Task-Forcë Detare" ndërkombëtare kundër sulmeve të forcave Houthi në Jemen kundrejt anijeve tregtare në Detin e Kuq, ndërsa më 18 dhjetor njoftoi krijimin e një misioni shumëkombësh të emërtuar "Operacioni Mbrojtësi i Prosperitetit".
Sulmet e Houthive vendosën në rrezik kalimin përmes Kanalit të Suezit, që lidh Mesdheun me Detin e Kuq duke ofruar rrugën më të shkurtër mes Evropës dhe Azisë dhe në të cilin kryhet rreth 12 për qind e tregtisë globale, ndërsa sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe vendimet e njëpasnjëshme që u morën nga kompanitë kishin rritur shqetësimet se në ekonomi do të fillonte një "krizë e re e zinxhirit të furnizimit"./aa