Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në ligjin e turizmit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë tha se “sot miratuam ndryshimin e një ligji të rëndësishëm për situatën ku ndodhet Shqipëria në sektorin e ekonomisë, ku turizmi ka qenë kryefjala dhe të gjitha parashikimet janë që do të jetë deri në 2030”.
“Ligji ekzistues i turizmit i vitit 2015 nuk i përgjigjej më realitetit dhe dinamikave të reja, ku duhet ta pranojmë se edhe sektori privat ka ecur në disa aspekte shumë më shpejt, më mirë dhe me ritëm më pozitiv. Por edhe vizoni qeverisë i këtij mandati është shumë i avancuar se ligji i 2015 ku realiteti në fushën e turizmit nuk ishte aspak ky që kemi sot”, tha Kumbaro.
Kjo bënte të nevojshme, vijoi Kumbaro, edhe në konsultim me sektorin privat nevojën për ndryshime ligjore qoftë për realitetet e reja, që shfaqen në tregun e turizmit në sektorin privat, qoftë për kërkesat e reja që vijnë nga konsumatori konkretisht turistët, por edhe tregu që është pjesë e zinxhirit të sektorit të turizmit për të dhënë garanci më shumë për shërbime cilësore, gjë që gjen pasqyrim në amendimet që i kemi bërë ligjit, për kërkesat për të pasqyruar disa realitete të strukturave akomoduese, të cilat nuk ishin në ligjin ekzistues.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “kjo nga njëra anë pasqyron më mirë rregullat e lojës, por është një mekanizëm i nevojshëm edhe një formalizim të tregut të turizmit”.
“Rritja e kërkesës ka ecur më shpejt se oferta kështu që oferta turistike përgjigjet me formula të paformalizuara në dispozitën ligjore, gjë që e zgjidhim me kategoritë e reja të cilat i kemi parashikuar në ligjin që sapo miratuam sot. Ndërkohë për të ecur më shpejt dhe për t’i dhënë nxitje sektorit privat kemi ndërmarrë një sërë ndryshimesh të procedurave burokratike qoftë në raport me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencitë e Varësisë. Por paralelisht lehtësimi i procedurave shkon edhe me një kontroll të forcuar për të garantuar konkurrencë të ndershme, raport të ndershëm me tatimet në shtet dhe për të forcuar masat administrative disiplinore, aty ku këto rregulla shkelen”, tha Kumbaro./ata