Kryeministri Edi Rama duke folur për situatën e industrisë fasone në çeljen e Shtëpisë së Biznesit tha se “koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar”.

Rama theksoi se dëmtimi i industrisë fason nuk po vjen nga rënia e euros, por se ky biznes duhet të përshtatet me tregun.

“Kjo ditë nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo. Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë. Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Pse? Sepse nuk ka serum që të shpëton dhe nga ana tjetër, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë. Është një vdekje klinike e sigurtë, por nuk është pa zgjidhje as për sipërmarrësit, as për personat”, theksoi Rama.

Sipas Kryeministrit zgjidhja është të adaptohesh.

“Të ndryshosh lojën! Të qasesh me qartësi dhe me forca të reja në një treg që është tjetër. Mjafton të shikosh ata që e kanë bërë këtë gjë, se fatmirësisht sot jemi në kushtet kur mund t’i lidhim fjalët me shembujt, pra nuk është diçka që e kemi ne të diskutuar teorikisht. Dhe nuk është as diçka që ne e kemi parë në vende të tjera dhe po themi hajdeni bëjeni dhe ju këtu. Jo! Është diçka që këtu ka aktorë të kësaj industrie që e kanë bërë dhe që janë sot konkurrues”, tha Rama.

Nga ana tjetër, vijoi Kryeministri, ne duhet si qeveri të shikojmë çfarë do t’ju ofrojmë ne atyre grave në Devoll që në rast se mbyllet një fabrikë sepse nuk ka bërë dot adaptimin, nuk ka futur dot elementë të tjerë për të përballuar këtë goditje, atëherë këta njerëz të kenë një mundësi të re dhe mundësia e re do të thotë që t’ju japim mundësinë që t’i përshtaten tregut e të përfshihen në të tjera aktivitete të kësaj ekonomie. Kjo është mundësia e re”.

“Nuk është mundësia e re që t’i japim lekë nga buxheti për të mbajtur punëtorë në shtëpi, ndërkohë që fabrika është mbyllur dhe e sjell këtë shembull, sepse kjo po i ndodh sot një industrie që nuk arriti e gjitha të adaptohej me sfidën, por kjo mund t’i ndodhë nesër të gjithëve ju që jeni këtu, të gjithëve, pa përjashtim. Mund të ndodhi nesër në momentin kur ne bëhemi pjesë integrale e sistemit europian, sepse konkurrenca nuk është më me njëri-tjetrin, por konkurrenca është me të ngjashmit tuaj sipas sektorëve në një histori shumë më të gjatë, në një traditë shumë më të fortë me dituri shumë më të mëdha e të tjera”, nënvizoi Rama.

Kështu që, vijoi Rama, për këtë arsye duhet realisht të filloni ta mendoni që tani që mos përfundoni asnjeri siç i ndodh atyre në industrinë fason që nuk e di se çfarë pritën për t’i dalë përpara kësaj që erdhi sot.

“Ka ndryshuar komplet gjithë struktura dhe infrastruktura dhe shembulli më i thjeshtë për t’u kuptuar që pse kjo histori është pa kthim dhe pse në këtë histori nuk duhet ngritur koka lart për të thënë “Shteti të vijë të na ndihmojë” është ky. Gratë që janë në fason, pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë vajza të vogla, vajza të reja kur janë ulur përpara makinës qepëse. Sot janë nëna, janë gjyshe që iu ka ardhur dita e pensionit prej vitesh e do dalin në pension. Tani, e shikoni dot ju me syrin e imagjinatës që një vajzë e të njëjtës moshë që kishte gjyshja apo nëna që sot del në pension, kur u ul tek makina qepëse, të shkojë të ulet tek makina qepëse? E shikoni dot ju me sytë e imagjinatës tuaj që një vajzë nga Devolli apo nga Kamza apo nga Paskuqani apo nga Lezha, të shkojë të ulet para makinës qepëse dhe të pranojë të bëjë të njëjtën punë që bëri nëna apo gjyshja e vet për kaq shumë vite, për një page, e cila është e ulët si avantazh konkurrues me të tjerët? Po nuk ndodh kurrë”, tha Rama.

Unë e di, theksoi Kryeministri, dhe anën tjetër të medaljes që rritja e asaj page për të bërë të njëjtën punë, të çon po ashtu në falimentim.

‘Atëherë çfarë është përgjigja? Nuk do të bësh të njëjtën punë? Do ta transformosh atë fabrikë në një fabrikë që do të bëjë ciklin e mbyllur, në një fabrikë që do t’i adaptohet ndryshe tregut, duke ruajtur eksperiencën që ke për pjesën që ke, por duke i shtuar kësaj eksperience elementë të rinj, përndryshe, se tregu është një ujk i madh. As nuk e zbut dot duke e trajtuar si qenin që do të mbarojë shtëpinë, as nuk e josh dot me asnjë formë tjetër, përveç se duke i rezistuar dhe duke qenë më i fortë se sa ai vetë. Kjo është. E thjeshtë, për t’u thënë, për t’u bërë, unë nuk jam sipërmarrës kështu që ky është halli i juaj”, tha Rama./ata