Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmoi sot se TEC-i i Vlorës do të vihet në punë për një kapacitet prodhimi prej 350 MW në total, në ndryshim nga projektimi i qeverisë të mëparshme për vetëm 100 MW.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Balluku u shpreh se qeveria ka në plan që të vërë në punë TEC-in e Vlorës dhe për këtë po punohet në mënyrë intensive me “Excelerate Power”, një kompani amerikane.
Por, Balluku nënvizoi se TEC-i i Vlorës është projektuar dhe ndërtuar gabim.
“Kam lexuar një shkrim dje. Nëse bëhen shkrime investigative që mundohen të justifikojnë gabimet e të shkuarës nuk do të quhen më investigative. Shkrimi dje thoshte që një stuhi e tmerrshme në vitin 2012, që ne e njohim se kush është shkalla e stuhive në Republikën e Shqipërisë, ka arritur që të prishë TEC-in e Vlorës njëherë e përgjithmonë akoma pa u ndezur. Kjo nuk është e vërtetë”, tha Balluku.
Sipas saj, “është katërcipërisht e vërtetuar që TEC-i i Vlorës është ndërtuar gabim në vitin 2010”.
“Projektimi i sistemit të ftohjes ka qenë i projektuar dhe i ndërtuar gabim. Brigjet e Vlorës nuk njihen për cunami, që kanë shkatërruar TEC-in dhe nuk u bë më që të ndizej, ndërkohë që çuditërisht nuk ishte ndezur asnjë ditë deri në ditën e cunamit, që nuk e kuptoj nga ka dalë në sipërfaqe se nuk e kishim dëgjuar deri më sot”, tha ajo.
Balluku nënvizoi se TEC-i i Vlorës nuk ka punuar asnjë ditë dhe shteti shqiptar ka qenë i detyruar që të paguajë një kredi të marrë dhe kurrë nuk është dhënë një përgjigje zyrtare pse është projektuar gabim ai TEC.
“Ne mësojmë nga gabimet e qeverive të shkuara, mësojmë nga problematikat e pafundme që kemi gjetur në sektorin energjetik ku kishim 45% humbje të energjisë elektrike, ndaj për të mos përsëritur gabimet ne kemi 2 vite që punojmë me ‘Excelerate’ dhe gjithë konsorciumin që do të marrë përsipër rindezjen e TEC-it të Vlorës, por jo në kapacitetet që ka sot. Sepse kapacitetet e projektuara dhe kurrë të vëna në funksion në vitin 2012 kanë qenë 100 mega ndërkohë që TEC-i i Vlorës po projektohet për 3 module: 100 mega i pari, 150 mega i dyti dhe 100 mega i treti. Pra 350 mega në total”, tha Balluku.
Në përfundim ajo i bëri thirrje të gjithë gazetarëve të quajtur investigativë që ta shikojnë edhe njëherë punën e tsunamit. “Jemi shokuar dje nga ky fakt i ri që kërkon të mbulojë me ujin e Vlorës një zullum shumë të madh”, tha Balluku./ata