Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) e çeli sezonin artistik për vitin 2024 me ekspozitën bashkëkohore “Man of the castle” nga artistja Blerta Kambo.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua mbrëmjen e djeshme ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama.

“Man of the Castle” (Burrë i kështjellës) është seria fotografike që i jep titullin ekspozitës si dhe përbën krijimin kryesor në të. Seria bazohet në fotografi të ndërtesave me formë të ngjashme me kështjellat të ndërtuara nga meshkuj, që siç pritet, kryejnë detyrën e tyre si burri i shtëpisë, ose burri i kështjellës.

Kambo, më pas, ndërhyn në mënyrë dixhitale duke i kthyer ato në dritë infra të kuqe, e cila njihet edhe si drita e padukshme për syrin e njeriut. Vetia e dritës infra të kuqe kthen çdo gjë rreth e përqark kështjellave në rozë, ngjyrë e cila në qasjen heteronormative nuk është aq “burrërore”. Efekti i kësaj teknike bëhet më i dukshëm kur rrethohet nga natyra, e cila gjithashtu përfaqëson metaforikisht energjinë femërore të grave që jetojnë nën “burrin e kështjellës”, pra dritën e padukshme.

Krijimi i peisazhit të ëndrrave bie ndesh me forcën që këto ndërtesa rreken të përfaqësojnë. Për Kambon, patriarkati, sistemi që nënshtron femrën, është i njëjti sistem që shtyp meshkujt dhe i detyron ata të performojnë e të heshtin emocionalisht.

Manifestimi i toksicitetit maskilist, ose i brishtësisë mashkullore të kudondodhur në botë, por me specifikat ballkanike, vijon me referenca të tjera në ekspozitë: Një skulpturë qelqi rozë: një shkallë e pamundur; perde rozë, referencë ndaj festave që zbulojnë gjininë e një bebi, por edhe të filmit Barbie; tekstet me dritë LED me shprehje popullore misogjiniste dhe një seri screenshot (pamje ekrani) nga Tinder, aplikacioni i takimeve.

Kjo ekspozitë ka në thelb artin instalativ dhe atë bashkëkohor, dhe përbëhet nga 13 fotografi dhe 2 instalacione. Imazhi i ndërtesave që i përngjajnë kështjellave të ndërtuara nga meshkujt është në fokusin e lentes së artistes, duke vënë theksin tek fakti se peizazhi urban është një pjesëmarrës aktiv në pabarazinë gjinore.
 
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në datat: 13 janar – 14 shkurt 2024/ata