Baza ajrore taktike e Kuçovës po shndërrohet në një gjurmë të rëndësishme të prezencës së NATO-s dhe do të jetë në shërbim të stërvitjeve dhe operacioneve të ndryshme të Aleancës.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka publikuar sot në rrjetet sociale foto nga Baza Ajrore e NATO-s në Kuçovë e cila tashmë është në fazën përfundimtare të punimeve, dhe së shpejti pritet të inaugurohet.

Ai nënvizon se kjo është e vetmja bazë taktike për operacionet kombëtare dhe operacionet me rëndësi strategjike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

“Efektivët e Forcave tona të Armatosura, krah për krah me aleatët e NATO-s për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, shprehet Peleshi.

Investimi në këtë bazë arrin vlerën e rreth 45,8 milionë eurove dhe konsiston në ndërtimin e depove të armatimit, ato të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit./ata