Nën organizimin e Institutit "Yunus Emre", në Tiranë është organizuar forumi i diskutimit me temë “Roli i medias në marrëdhëniet ndërkombëtare”, me fokus diskutimet për disa çështje.

Në hapje të forumit dhe gjatë diskutimeve kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare dhe gazetarë nga Shqipëria dhe Türkiye, përfshirë dhe gazetarin e Anadolu, Mehmet Şah Yılmaz.

Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij në hapje të forumit u shpreh se në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve media ka një rol shumë kritik, sepse, sipas tij, edhe perceptimet janë po aq të rëndësishme sa të vërtetat.

"Ne si turq dhe shqiptarë jemi dy popuj që për shekuj kemi ecur së bashku në histori. Kemi ndarë histori të përbashkët, kemi drejtuar së bashku një shtet të madh (Shteti Osman) dhe jemi të afërm. Kjo lidhje sociale dhe njerëzore është me të vërtet shumë e vyer. Kemi vlera të përbashkëta. Në Türkiye ka shumë shtetas turq me origjinë shqiptare", tha Atay.

Duke theksuar se vitin e kaluar u shënua 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Türkiyes, Atay tha se Shqipëria ka shpallur Türkiyen partner strategjik, duke shtuar se "zyrtarisht të dy vendet marrëdhëniet e tyre i bazojnë në partneritetin strategjik".

Ai tha se për sa i përket ekonomisë ndërveprimi është shumë i fuqishëm, si dhe foli edhe për kontributin e institucioneve turke në Shqipëri, përfshirë projektet e TIKA-s, institucionet arsimore të Fondacionit Turk Maarif dhe të tjera.

"Türkiye është aleat natyror i Shqipërisë sidomos në situata të vështira. Ne kemi qenë pranë popullit shqiptar, pranë shtetit shqiptar”, tha Atay.

Melih Barut, përfaqësues nga Instituti "Yunus Emre" nga Türkiye, në fjalën e tij përshëndetëse, duke prezantuar edhe një video me aktivitetet e institutit, tha se Instituti “Yunus Emre” ka përfaqësi në 68 shtete të botës.

"Organizojmë aktivitete me tema shumë të ndryshme, në lidhje me kulturën, arkitekturën, me muzikën, artin, me letërsinë, me kuzhinën turke, panairet dhe mbështesim projekte të ndryshme kulturore. Qëllimi ynë kryesor është që të krijojmë ura lidhëse shpirtërore dhe bashkëpunuese me shtete të ndryshme dhe me njerëz të shteteve të ndryshme", tha Barut.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, i cili theksoi se "shpresoj shumë që ky forum të jetë një pikë lidhëse dhe vazhdimësie për bashkëpunim mes nesh, mes medias turke dhe shqiptare".

Një fjalë përshëndetëse në hapje të forumit mbajtën edhe Prof. asoc. dr Lindita Xhanari Latifi nga Qendra e Studimeve Ballkanike pranë Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), si dhe drejtori i Përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare në Shqipëri (BKT), Seyhan Pencablıgil, dhe Yavuz Donat nga gazeta turke "Sabah".

Në forumin njëditor u diskutua mbi temat për rolin e medias në marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia kulturore dhe media, media si mjet përcjellës i kulturës dhe tema të tjera./aa