Kryesuesi i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës (BeH), Zheljko Komshiq, është i mendimit se është keq që politika aktuale e SHBA-së në BeH bazohet në realizimin e interesave strategjike të Kroacisë.

Në një intervistë për Anadolu, Komshiq foli për situatën politike në BeH, marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe Türkiyen, marrëdhëniet me SHBA-në dhe politikën e saj në BeH, si dhe për çështje të politikës së brendshme.

"Situata në Bosnje dhe Hercegovinë ka qenë jashtëzakonisht komplekse për më shumë se tre dekada", tha ai, duke shtuar:

"Mendoj se për një kohë relativisht të gjatë kemi jetuar edhe në një lajthitje, se gjërat ndoshta do të zgjidhen vetvetiu, se vlerat që ne mbrojmë, që janë padyshim vlera universale njerëzore, që flasin për barazinë e njerëzve, për të drejtën, për të vërtetën, për drejtësinë, për dënimin e kriminelëve të luftës, se ato do të fitojnë. Doli se bota e sotme moderne nuk mbështetet mbi vlerat, por mbi forcën dhe interesat. A është tani koha për të hyrë në fazën e kthjellimit nga këto keqkuptime, varet mbi të gjitha nga populli i Bosnje e Hercegovinës", shpjegoi Komshiq.

Ai beson se është koha që qytetarët të kuptojnë momentin në të cilin janë, duke theksuar rrezikun e kthimit "në një formë të viteve '90 nga shekulli i kaluar".

"Tek ne shpërthejnë periodikisht krizat. Ajo që tani kemi pasur mundësinë të shikojmë nuk është asgjë e re. Fjalimet e Milorad Dodik janë rrëfim që ai i flet për gati 20 vjet. Asgjë e re. Sot kuptojmë që ajo nuk është thjesht retorikë, por një plan qe po realizohet, po shpaloset dhe çdo vit ai plan përparon. Për fat të keq ky është momenti ynë aktual në të cilin jetojmë", tha Komshiq, duke shtuar se situata rezultoi nga përmbyllja e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Megjithatë, duke folur për alternativat, Komshiq beson se nuk mund të hedhin poshtë marrëveshjen ndërkombëtare, sepse në këtë rast, sipas tijm fitojnë ata që janë kundër Bosnje dhe Hercegovinës.

“Fiton Dodiku, i cili mezi pret që ne të fillojmë të parët nismën e tërheqjes nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit, që ai të ketë duart e zgjidhura për të nisur aktin final, realizimin e projektit të shkëputjes apo pavarësisë së Republika Srpska, apo që të gjithë ndjekësit e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, apo Herceg-Bosnja, vazhdojnë zbatimin e asaj që filluan në vitet '90”, tha Komshiq.

Ai u shpreh se realiteti nuk duket shumë i ndritshëm për Bosnje dhe Hercegovinën, duke shtuar: "Por, ne na takon të vazhdojmë të luftojmë dhe të qëndrojmë në këtë luftë. Mendoj se ka mjaft njerëz në Bosnje dhe Hercegovinë që do të qëndrojnë në këtë luftë".

Politika aktuale e Amerikës në interes të Kroacisë

Ai foli edhe për qasjen e SHBA-së në BeH, duke u shprehur:

"Ne nuk jemi në një situatë për të rrezikuar dhe të humbim një aleat si Shtetet e Bashkuara. Më duket se prej kohësh nuk e kemi kuptuar se si funksionon politika në SHBA. Ata janë pafundësisht pragmatikë në lëvizjet e tyre politike dhe janë të prirur për zgjidhje të shpejta, pa hyrë në traditë, as kulturë, as fe. Nuk jemi në situatën që të rrezikojmë të humbasim miqësinë me SHBA-në, por duhet të kemi edhe guxim të mjaftueshëm që ta themi kur mendojmë se diçka po bëhet gabim. Një preferencë e tillë për qëndrimin e Zagrebit nga SHBA-të në BeH është diçka e papranueshme”.

Ai rikujtoi se SHBA ishin krijuesit e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe paqes në BeH, por shprehet: "Unë nuk mund ta zgjeroj pozicionin dhe interesat e Zagrebit në kurriz të interesave të BeH, gjë që po ndodh tani. Mendoj se është keq që politika aktuale e SHBA-së në BeH bazohet në realizimin e interesave strategjike të Republikës së Kroacisë në Bosnje dhe Hercegovinë. Mendoj se është gjë e keqe”.

Rruga evropiane e BeH-së

Bosnje dhe Hercegovina mori dritën jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE, por me disa kushte të caktuara që duhet të përmbushen deri në mars 2024.

"Kur mund të fillojnë negociatat, askush nuk e di, madje as ata në Bruksel nuk e dinë. Aktualisht po zhvillohet një diskutim midis Brukselit dhe Bosnje dhe Hercegovinës në një nivel: 'Hajde të miratojmë disa ligje që t'ju tregojmë se keni hyrë në fazën fillestare të negociatave, por nuk mund t'ju tregojmë datën'. Data është diçka që askush nuk e di se kur mund të ndodhë. Pra, edhe nëse fillojmë negociatat në pranverë, është një përparim i vogël, por praktikisht nuk do të thotë asgjë", theksoi Komshiq.

Sipas tij, askush në Bruksel ende nuk dëshiron të nisë negociatat me BeH-në.

Marrëdhëniet e BeH-së dhe Türkiyes

Kryesuesi i Presidencës së BeH-së foli edhe për marrëdhëniet tradicionalisht miqësore ndërmjet BeH-së dhe Türkiyes dhe fushat ku sheh mundësinë e përparimit në bashkëpunimin mes dy vendeve.

"Türkiye është një vend që është i rëndësishëm vetvetiu. Një vend që është rritur ndjeshëm, veçanërisht që kur presidenti Recep Tayyip Erdoğan mori në drejtim Türkiye-n. Vetëm dashakeqët mund ta kundërshtojnë këtë. Kjo mund të shihet me sy, që Türkiye është rritur dhe është bërë lojtar i rëndësishëm gjeopolitik. Ka qenë gjithashtu e rëndësishme edhe më parë për shkak të pozitës dhe madhësisë së saj, por tani është bërë një forcë gjeopolitike. Dhe këtë mund ta shihni pothuajse çdo ditë. Ajo që në fakt na intereson është miqësia me Türkiyen. Ne mendojmë se është e rëndësishme për ne”, theksoi Komshiq.

Ai tha se Turkiye është padyshim një mik i madh i Bosnje dhe Hercegovinës dhe se kjo miqësi duhet të zhvillohet dhe të ndërtohet.

"Shumë shpesh, Republika e Türkiyes është e prirur të mbështesë disa lëvizje specifike në Bosnje dhe Hercegovinë, ndonjëherë edhe në dëm të saj. Është pothuajse e pabesueshme që keni një vend të huaj që të gjithë në Bosnje dhe Hercegovinë do ta mirëpresin në mënyrë miqësore. Kjo nuk ekziston në Bosnje dhe Hercegovinë, që të pajtohemi për ndonjë rol, për cilindo vend, përveç Türkiyen. Që të gjithë zyrtarët, pavarësisht se kush ose çfarë janë, çfarë opsioni politik janë, do t'ju thonë: "Po, Türkiye është një mik'. Për çdo vend tjetër, SHBA, Rusi, Gjermani, Francë, gjithmonë do të ketë dikush në Bosnje dhe Hercegovinë që do të thotë se nuk janë miqtë tanë. Por ata nuk do t'ju thonë këtë për Türkiyen”, tha Komshiq, duke shtuar:

“Sigurisht që këto marrëdhënie duhet të zhvillohen më tej, duhet të ndërtohen. Sigurisht që edhe Türkiye ka ndonjë ankesë ndaj nesh, me aq sa di unë, por e di që tani nuk është koha për t'i hapur ato tema. E di çfarë priste Türkiye nga ne në Sarajevë, autoritetet në Sarajevë, dhe kjo nuk u realizua, por pavarësisht gjithçkaje, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Türkiyen duhet të forcohen, ndërtohen... Mund t'ju them se në mandatin tim, edhe për tre vjet, do t'i përkushtohem forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Türkiyen”./aa