Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektvendimin për shpalljen e këtij viti të vitit mbarëkombëtar të festimeve të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe gjithashtu ngritjen e Komisionit Shtetëror për organizimin e festimeve gjithëvjetore për 80-vjetorin e Çlirimit.
Në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi tha se, “ky komision drejtohet nga Ministri i Mbrojtjes dhe ka në përbërje disa ministra si dhe disa drejtues të institucioneve relevante si Biblioteka Kombëtare, Drejtoria e Përgjithshme të Arkivave, Instituti i Monumenteve të Kulturës”.
Gjithashtu, shtoi ai, organizatat e veteranëve dhe familjet e dëshmorëve, do të jenë të ftuar dhe pjesë aktive.
“Nuk do të jetë vetëm një ngjarje e datës 29 nëntor, por do të jetë përgjatë gjithë vitit jo thjesht dhe vetëm evente festive, por edhe evente shkencore, hulumtime të ndryshme si dhe evente që do të synojnë nxitjen dhe promovimin e dashurisë për Atdheun dhe patriotizmin sidomos tek brezat e rinj”, tha ndër të tjera Peleshi./ata