Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se “ka vetëm një Parti Demokratike, e cila nëse do të plotësojë kushtet për t’u regjistruar do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit”.

 

Në një deklaratë për mediet, Celibashi foli në lidhje me regjistrimin e PD-së në zgjedhjet e 14 majit.

 

“Në dijeninë time nuk ka dy PD dhe s’mund të kishte dy PD sepse nuk mund të ketë dy parti politike me të njëjtin emër. Është një parti politike e quajtur PDSH. Në momentin që do të paraqitet kërkesa për regjistrim do të vlerësojmë dokumentacionin bashkëshoqërues të kërkesës për regjistrim dhe do të vlerësojmë cilësitë e personave që paraqesin kërkesën për regjistrim të PD-së”, theksoi ai.

 

“Besoj që në datën 3 mars gjykata do të vendosë në lidhje me konfliktin se cili është organi udhëheqës i PD-së dhe vlerësoj që është angazhim pozitiv i gjykatës për t’u disponuar për këtë çështje para se të fillojë procesi elektoral sepse nuk lidhet thjesht me procesin e regjistrimit, por me çështje të rëndësishme sikurse është pjesëmarrja në zgjedhje e një partie politike. Flasim për partinë kryesore të opozitës. Duhet të jetë e qartë se kush është edhe nga pikëpamja formale organi drejtues i asaj partie”, tha Celibashi.

 

Më tej Celibashi theksoi se “të gjitha KZAZ janë konstituuar duke pasur parasysh angazhimin e tyre të imponuar nga ligji, praktikisht nuk është se janë duke organizuar ndonjë veprimtari. Por në pikëpamje formale të gjitha KZAZ janë funksionale pasi diku janë me 4 anëtarë dhe diku me 5 anëtarë dhe në kuptim të ligjit konsiderohen funksionale si institucione.

 

Celibashi u ndal edhe tek pyetja nëse PD do të përfitojë fonde për zgjedhjet.

 

“Është një vendim që do të duhet ta marr dhe për të respektuar institucionin nuk po e bëj publik. Por po lexoj rregullin dhe po ua shpjegoj me siguri e nxirrni konkluzionin. Ligji ka përcaktuar në nenin 180 të Kodit Zgjedhor, parimi është ky që merr fonde partia që ka marrë pjesë në zgjedhjet pararendëse. Zgjedhjet pararendëse janë ato të vitit 2019. E dimë që PD nuk mori pjesë por neni 180 i Kodit Zgjedhor ka përcaktuar në referim do merren zgjedhjet sipas rastit të 2015 dhe 2017. Ka një përjashtim që për ato parti që s’kanë marrë pjesë në këto zgjedhje do merret në konsideratë procesi i 2019”, theksoi ai.

 

“Ne nuk kërkojmë fond, pasi është çështje që i takon Kuvendit dhe vendos se sa para do të vendosim në dispozicion të partive politike për fushatën e tyre zgjedhore. Ky fond nuk do mund të jetë më i vogël se 130 milionë lekë. Megjithatë është çështje ekskluzive e Kuvendit dhe nuk kemi obligim. Ne kemi kërkuar të marrim informacion ka fonde që janë vënë në dispozicion të partive politike që do marrin pjesë në zgjedhjet e 14 majit, apo do alokojnë me qëllim që të marrim masat organizative”, theksoi Celibashi.

 

Kreu i KQZ-së u shpreh se “fondi që përfitojnë partitë politike për zgjedhjet iu shpërndahen partive jo më vonë se 5 ditë nga përfundimi i afatit për regjistrimin e kandidatëve dhe depozitimin e listave shumë emërore për anëtarë të Këshillit Bashkiak. Do të duhet të presim momentin kur të kemi numrin e partive dhe atyre që do të paraqesin kandidatë për kryetarë bashkie dhe anëtarë këshilli”./ATSH