Ura e Zogut mbi Mat  do t’i nënshtrohet ndërhyrjes emergjente.

 

Kryeministri Edi Rama  u shpreh sot se është gati të nisë puna për të rilindur monumentin e kulturës, Urën e Zogut mbi lumin Mat.

 

“Tashmë projekti i hartuar nga një grup ndërinstitucional ka marrë dritën jeshile nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale për ndërhyrjen në këtë objekt”, shkruan kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

 

Projekti teknik i zbatimit për ndërhyrjen emergjente në objektin-monument kulture, Ura e Matit, është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e Kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër, në kuadër të Paktit për Universitetin.

 

Pak ditë më parë ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi edhe për vendosjen e pajisjeve monitoruese, që do të mundësojnë të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.

 

Sipas Margaritit, miratimi i këtij projekti i hap udhë gjenerimit të fondeve, fillimit të detyrave të projektimit dhe nisjes së ndërhyrjeve integrale për zgjidhjen e problemit në terren, në të gjithë objektin.

 

Ura e Matit është inauguruar më 26 maj, të vitit 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter.

 

Ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj kohe, nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën.