Franca hodhi poshtë deklaratat e Moskës në lidhje me praninë e mercenarëve francezë në Ukrainë.

Sipas mediave lokale, Ministria e Jashtme ka përgënjeshtruar pretendimet e Rusisë për mercenarë francezë në Ukrainë, duke thënë se vendi nuk ka asnjë mercenar në Ukrainë.

Ministria, duke i quajtur deklaratat e Rusisë si “manipulim”, theksoi se ndryshe nga disa vende të tjera, Franca nuk ka mercenarë në vende të tjera.

Reagimi erdhi pasi Ministria ruse e Mbrojtjes më herët tha se më 16 janar, forcat e armatosura ruse realizuan një sulm me armë të precizionit të lartë në një pikë të përkohshme dislokimi në Kharkiv, ku ishin vendosur luftëtarë të huaj, kryesisht mercenarë francezë.

“Më shumë se 60 luftëtarë u vranë dhe më shumë se 20 u dërguan në objekte mjekësore”, shtoi ministria, duke theksuar se ndërtesa ku ishin vendosur mercenarët u shkatërrua në sulm./aa