Kryeministri bavarez, Markus Söder u shpreh sot se për të ardhmen na duhet një Evropë jo vetëm e zgjeruar, por edhe e forcuar, madje edhe me zgjerimin me Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Presidentin e EEP-së dhe liderin e grupit të EEP-së në Parlamentin Europian, Manfred Weber, si dhe kryetarin e grupit parlamentar të CSU për Bavarinë, Klaus Holetschek, Söder u shpreh se ne duam të shohim se si do ta forcojmë BE-në në të ardhmen”.

“Për të ardhmen na duhet një Evropë jo vetëm e zgjeruar, por edhe e forcuar, madje edhe me zgjerimin me Ballkanin Perëndimor. Kjo vizitë e kryeministrit shqiptar nuk lidhet vetëm me traditën tonë por lidhet edhe me të ardhmen”, tha ai.

Duke folur për bashkëpunimin e Shqipërisë me Landin e Bavarisë, Söder theksoi se ka një zyrë përfaqësuese të ekonomisë bavareze në Shqipëri.

“Kemi marrëdhënie për shkëmbim ekspertësh. Kemi çështje të tilla në lidhje me investimet, por duhen marrë edhe vendime për të krijuar një mekanizëm të një shteti të tretë, një shteti jo anëtar. Ky është hapi i parë, shohim një gatishmëri nga ana e Shqipërisë që do të na ndihmojë në këtë diskurs”, tha ai.

Söder theksoi se “për ne bashkëpunimi me Shqipërinë është pjesë e strategjisë bavareze”.

“Ne shohim si partnerë edhe shtetet e Europës juglindore. Nëse Gjermania shikon nga veriu i Europës, Bavaria është më e lidhur me pjesën jugore.  Ne brenda Gjermanisë dhe brenda Europës e shohim veten si avokat të Europës së jugut dhe Europës juglindore”, tha ai./ata