Procesi i nënshkrimit të peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, ka përfunduar të premten në mbrëmje.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, Sanja Kërtiniq, anëtare e grupit inicues në veri të Mitrovicës.

“Nuk e di saktë, por jam shumë e sigurtë se e kemi tejkaluar numrin e nevojshëm”, ka thënë Kërtiniq, duke shtuar se të hënën do t’ia dorëzojë nënshkrimet kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Ndryshe, për të qenë peticioni i suksesshëm në veri të Mitrovicës, duhet të nënshkruhet nga gjithsej 3 mijë e 640 qytetarë.

Peticioni për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore ka nisur të martën në veri të Mitrovicës dhe Leposaviq, ndërsa nga e premtja edhe në Zveçan e Zubin Potok./ata