Kryeministri Edi Rama informoi sot se Tirana po përgatit një samit për Ukrainën ku do të jetë i ftuar edhe Presidenti Zelensky.

Kryeministri informoi mediet se çështjet e sigurisë nuk kanë qenë temë e takimit të sotëm në Shkup ndërkohë siç tha ai janë prekur në mënyrë thjesht parimore apo dhe mbase të detajuar në takimet bilaterale.

“Por, gjëja tjetër që unë besoj është e rëndësishme të them sot këtu me ju është se po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do të kemi të pranishëm Presidentin Zelensky”, theksoi Rama.

I pyetur mbi temën e samitit, Rama tha se “është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me Presidentin e Ukrainës dhe me njëri-tjetrin, lidhur me sfidat e sigurisë.

Ndërkohë, ai informoi se “paralelisht me të do përpiqemi që në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e sotëm dhe që janë ata që do të ndjekin këtë proces të Komisionit Europian dhe administratës amerikane për të bërë një bilanc të këtij muaji nga sot deri në fund të shkurtit dhe për të vazhduar të punojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet edhe nga proceset që janë sot në Europë”.

“Në Europë ka zgjedhje të reja dhe parlament të ri dhe ne do të kapim datat dhe mundësisht të mbyllim këtë paketë, duke bërë ne punën tonë, brenda afateve që ka kjo administratë që është sot në pushtet”, tha ai./ata