Kryeministri Edi Rama sot në bashkëbisedim me mediet në Shkup se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira, më të afërta dhe më produktive.
Ai ui përgjigj interesimit të medias në lidhje me takimin e mbrëmshëm në Shkup me ndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien duke vënë në dukje se është biseduar për Shqipërinë dhe për rajonin.
“Natyrisht, sepse për të dyja mund të flisnim dhe flasim gjithmonë dhe besoj që marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira, nuk kanë qenë ndonjëherë më të afërta, nuk kanë qenë ndonjëherë më produktive”, theksoi ai.
Ashtu sikundër, Kryeministri shprehu besimin se roli i Shqipërisë në rajon nuk ka qenë ndonjëherë më i qartë sesa pikërisht në këtë moment, kur është dhënë një tjetër shembull që të gjithë duhet të jenë në tryezë, të gjithë duhet të punojnë bashkë.
Rama shtoi se nuk është e nevojshme, por do të ishte e dëshirueshme që kur të ulesh në një tryezë me një grup njerëzish, mos të kesh asnjë problem me asnjërin.
“Mund të kesh shumë gjëra me të cilat nuk je dakord dhe për të cilat përpiqesh dhe bën betejën tënde në instancat dhe hapësirat e duhura, por kur flitet për një gjë kaq të mirë, kaq pozitive, kaq shumë të nevojshme për të gjithë popujt tanë, për të gjitha vendet tona, atëherë tryeza është i vetmi vend ku trajtohen çështje që lidhen me rritjen ekonomike, që lidhen me rritjen e mirëqenies, që lidhen me përshpejtimin e të gjithë fazave që na bashkojnë përfundimisht me Bashkimin Europian”, theksoi Kryeministri./ata