Kryeministri Edi Rama foli sot për planin e ri të rritjes të Ballkanit Perëndimor, ndërsa nënvizoi se çdo vend që do të bllokojë tjetrin në këtë proces do të bllokojë vetveten dhe nuk do të përfitojë nga ky plan.
Në një bashkëbisedim me mediet shqiptare në Shkup, Rama foli për takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE-së.
“Kishte një atmosferë shumë pozitive sepse pikërisht u bë gjëja e duhur, u fol për punë konkrete, u fol për temat e kësaj sfide shumë të madhe që është përfitimi me sukses i të gjithë vendeve të rajonit nga plani i ri i rritjes i Bashkimit Europian dhe nga mundësia e integrimit në tregun e përbashkët europian”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se”është bërë fare e qartë edhe gjatë darkës së djeshme dhe gjatë ditës së sotme nga përfaqësuesi i lartë i Komisionit Europian, por edhe nga përfaqësuesit e administratës amerikane se në këtë proces nuk ka asnjë hapësirë dhe njëkohësisht patjetër nuk ka asnjë dëshirë për të dëgjuar çështje të natyrës politike, çështje të natyrës bilaterale e të tjerë, përkundrazi, është po ashtu shumë e qartë që çdo vend që do të bllokojë tjetrin në këtë proces do bllokojë vetveten dhe nuk do përfitojë dot nga ky plan”./ata