Banka e Shqipërisë përcolli sot detaje nga themelimi i saj pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri më 22 prill 1992.

 

Si pjesë e reformës ekonomike të filluar në vitin 1992, reforma e sistemit bankar filloi si reformë institucionale me ndryshimin e bazës ligjore. Në prill të vitit 1992, Kuvendi miratoi ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, si dhe ligjin “Për sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë”.

 

Këto ligje shënuan kalimin e sistemit bankar nga njënivelor në një sistem bankar prej dy nivelesh. Me anë të këtyre dy ligjeve u hodhën themelet e sistemit bankar me dy nivele, atë të Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe të bankave tregtare publike e private të formave të ndryshme, që do të funksiononin në vend, të cilat zëvendësuan, përmirësuan dhe zgjeruan në kushtet e ekonomisë së tregut, si dhe funksionet e kufizuara të pararendëses së saj, Bankës së Shtetit Shqiptar, në fushat përkatëse.

 

Banka e Shqipërisë u krijua si bankë e nivelit të parë, banka qendrore e vendit, ndërkohë që tri banka të tjera shtetërore: Banka e Kursimeve, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka Tregtare Agrare, përbënin nivelin e dytë të sistemit bankar. Banka e Kursimeve ishte pasardhëse e Institutit të Kursimit me një status të ri si një bankë universale.

 

Banka Kombëtare Tregtare ishte një shkrirje e aktivitetit tregtar të brendshëm të Bankës së Shtetit Shqiptar me Bankën Shqiptare të Tregtisë.