Në Babaj të Bokës, në komunën e Gjakovës, ka përfunduar trajnimi “Harr 66” i realizuar nga instruktorët e ushtrisë turke me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, ky trajnim një javor u mbajt në poligonin e stërvitjes në Babaj të Bokës në kuadër të bashkëpunimit me ushtrinë turke, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve luftarake të personelit të FSK-së.

“Trajnimi një javor qëllim kishte ngritjen e kapaciteteve luftarake të personelit të FSK-së, nga Regjimenti i Dytë i Forcave Tokësore (R2K), ku në kuadër të planit të trajnimit janë realizuar edhe qitje reale për të testuar aftësitë e fituara nga trajnimi”, njofton ministria.

Po ashtu theksohet se në përfundim të trajnimit të pranishëm ishin edhe shefi i shtabit të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), kolonel Valdet Berisha, Komandanti i Regjimentit të dytë të KFT-së, nënkolonel Jaser Mulla, instruktorë dhe përfaqësues nga kryesia e këshillit turk./aa