Kancelari gjerman, Olaf Scholz u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian (BE) që të rrisin dërgesat e tyre të armëve në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët në Bruksel para një samiti të jashtëzakonshëm të BE-së, Scholz tha se premtimet ushtarake nga partnerët e BE-së nuk kanë qenë aspak të mjaftueshme derisa Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë armë.

"Diskutimi duhet të fillojë menjëherë, sepse ne e dimë se ajo që është planifikuar deri më tani, përfshirë dërgesat konkrete të armëve nga vendet individuale anëtare të BE-së, nuk është e mjaftueshme", tha Scholz.

Kancelari gjerman theksoi se vendi i tij ka vendosur t'i sigurojë Ukrainës vetëm këtë vit armë me vlerë mbi 7 miliardë euro.

"Por, premtimet e bëra nga BE-ja në tërësi nuk janë të mjaftueshme. Tani, do të kemi mundësi të flasim për këtë. Jam i kënaqur për këtë. Sot nuk është dita për të marrë vendim për këtë çështje, por secili prej nesh duhet ta shqyrtojë këtë, të shohim se çfarë kontributi shtesë mund të japim në mënyrë që të arrijmë mirëkuptim", tha ai.

Scholz shtoi se diskutimet kryesore gjatë ditës së sotme do të fokusohen në mbështetjen financiare afatgjate të BE-së për Ukrainën për vitet 2024-2027, si dhe shprehu shpresë se 27 vendet anëtare të bllokut do të jenë në gjendje të marrin vendim për paketën.

"Kjo është rreth 12 miliardë euro për çdo vit, e përbërë nga kredi dhe grante të drejtpërdrejta, një total prej 50 miliardë euro deri në fund të periudhës financiare dhe kjo gjithashtu është urgjentisht e nevojshme", tha Scholz.

Në muajin dhjetor, liderët e BE-së nuk arritën të bien dakord për paketën e ndihmës për Ukrainën për shkak të kundërshtimit nga Hungaria./aa