Gjykata Kushtetuese do të vijojë këtë të hënë në seancën e radhës, shqyrtimin e Marrëveshjes me Italinë për emigrantët, të cilët 30 deputetët të opozitës kërkuan shpalljen antikushtetuese.
Në seancën e 24 janarit Gjykata Kushtetuese konstatoi se deputetët e grupimit Berisha-Bardhi dorëzuan kërkesën edhe për disa prova shtesë lidhur me marrëveshjen.
Nga ana tjetër qeveria tha se e kishte mbështetur marrëveshjen në Traktatin e Miqësisë me Italinë në vitin 1995, gjë që u kërkua nga Kushtetuesja si provë.
Ndërkohë Dhoma e Deputeteve në parlamentin italian i dha dritën jeshile marrëveshjes! Me 155 vota pro dhe 115 kundër deputetët italianë kaluan projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa fjala e fundit për ratifikim do t’i takojë Senatit.
Më 6 nentor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.