Forcat izraelite bastisën një spital në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe vranë 3 palestinezë, njëri prej të cilëve po merrte trajtim.
Sipas deklaratës nga Ministria palestineze e Shëndetësisë, forcat izraelite bastisën spitalin Ibn Sina në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor nën pushtim.
Ushtarët izraelitë vranë 3 palestinezë në spital gjatë bastisjes.
Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila në thirrjen e saj të bërë ndaj Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut, kërkoi t'u jepet fund krimeve të kryera nga forcat izraelite kundër popullit palestinez dhe institucioneve shëndetësore në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar dhe të sigurohet mbrojtja e nevojshme për qendrat e kujdesit shëndetësor dhe ekipet e tyre.
Në lajmin e agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, thuhet se dy nga 3 palestinezët e vrarë ishin vëllezër.
Bëhet e ditur se të vrarët janë Muhammad dhe Basil Ayman al-Ghazawi dhe Muhammad Walid Jalamneh.
Theksohet se Basil Ayman al-Ghazawi është trajtuar në spital që nga 25 tetori 2023.
Rreth 10 pjesëtarë të operacioneve speciale izraelite, të veshur me rroba civile dhe uniforma mjeku hynë në spital, u ngjitën në katin e 3-të dhe vranë 3 palestinezë me armë me silenciator./aa