Gjatë vizitës së saj të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me mësuesit e gjuhës shqipe të mbledhur në Londër, për të kurorëzuar bashkimin e tyre në Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministrja Manastirliu shprehu kënaqësinë e saj për të qenë mes komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët jo vetëm që mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqipe mes brezave të rinj por edhe kontribuojnë në mënyrë aktive në përcjelljen e tyre.

“Është arritje e rëndësishme për të ardhmen e shkollave shqipe në Britaninë e Madhe bashkimi juaj në Lidhjen e Mësuesve në mërgatë. Jemi të angazhuar për t’iu mbështetur, jo vetëm me tekstet falas të gjuhës dhe kulturës shqiptare por edhe me trajnimet për mësuesit dhe certifikimin e këtyre trajnimeve”, tha Manastirliu.

Duke folur për bashkëpunimin e ngushtë me mësuesit në mërgatë, ministrja e Arsimit dhe Sportit u shpreh se po punohet për plotësimin e regjistrit të mësuesve të diasporës për një bazë të plotë të dhënash, që do të lidhet më pas edhe me trajnimin e tyre të vazhdueshëm.

Mësuesit e gjuhës shqipe në Mbretërinë e Bashkuar kërkuan shkëmbim më të ngushtë me vendin amë, për të kontribuar në mënyre të ndërsjellë jo vetëm për mësimin e gjuhës shqipe në diaspore por edhe për të kontribuar në Shqipëri duke sjelle përvojat më të mira akademike që ata kanë në Mbretërinë e Bashkuar.

Qeveria shqiptare financon rreth 5 mijë libra të “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” çdo vit për shkollat shqipe në diasporë. Përpos Niveli I të tekstit të unifikuar “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” që tashmë është në duart e fëmijëve të diasporës së shpejti nis dhe shpërndarja e Niveli II dhe është hapur thirrja për tekstin e Nivelit III./ata