Punësimi në të zezë është fenomen i përhapur ndjeshëm në Shqipëri, kështu vlerëson në një analizë të kryer për tregun e punës OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik).

Në analizën e kryer është dalë në përfundim se në Shqipëri, pjesa më e madhe e punonjësve të padeklaruar është tek ata që kanë paga më të ulta.

Referuar të dhënave rreth 63% e të punësuarve informal në Shqipëri kanë të ardhura të ulta, 8% me paga të mesme dhe pjesa tjetër 29% marrin të ardhura të larta.

Referuar raportit afro 75% e punonjësve informal në Shqipëri janë të varfër. Të varfër sipas këtij raportin vlerësohen ata persona që shpenzojnë më pak se 7 dollarë në ditë.

Sipas raportit në Shqipëri 15% e punonjësve informal janë në kufirin e varfërisë, 9% vlerësohet shtresë e mesme dhe vetëm 1% klasifikohet i pasur.

Pjesa më e madhe e punonjësve informal në Shqipëri janë në grupin e të vete punësuarve me afro 45%, dhe tek ajo kategori që merret me biznesin familjar rreth 22%.

Në përfundim të analizës globale mbi fenomenin e informalitetit, OECD thotë se punëtorët informalë janë në një disavantazh kur bëhet fjalë për aksesin në kontribute, mbrojtja sociale (pensionet e pleqërisë, sigurimi shëndetësor i bazuar në punësim dhe sigurimi i papunësisë).

Por edhe në këtë pikë sipas raportit më të rrezikuarit nga përjashtimi i mbrojtjes sociale apo i marrjes së një pensioni, janë ajo kategori që ka të ardhura të ulta, pasi nuk ka mjaftueshëm para për të paguar kontributet.

Në Shqipëri informaliteti në punësim sipas INSTAT është afro 29%, dhe në këtë shifër përfshihen paga e punonjës të padeklaruar. Ky fenomen do rëndojë mbi të gjithë punonjësit informal kur të arrijnë në moshën e daljes në pension, ku mungesa e kontributeve do të kthehet në pension mujor shumë të ulët për ta.