Lideri i LZHK Dashamir Shehi ka deklaruar se rruga e vetme që opozita të fitojë në zgjedhjet e 2025, nuk është bashkimi rreth një lideri, por secili grup të hyjë në garë i vetëm.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, ai u shpreh se po punohet për krijimin e një grupi të ri, që mund të jetë edhe koalicion, në mënyrë që të hyhet në zgjedhje. Ai shpjegoi se pas zgjedhjeve grupet e opozitës mund të bashkohen për të krijuar qeverinë e re dhe se grupimi me më shumë mbështetës mund të vendosë për emrin e kryeministrit.

Ai shtoi se platforma është gati dhe se synimi i parë është rikthimi i një jete normale në Parlament.

“Konfederatë e opozitës? Nuk jam pjesë e saj, nuk kemi rënë dakord. Jemi ftuar të aderojmë por nuk jam dakord sepse gjykoj se nuk është kjo rruga.

Brenda opozitës kemi 2-3 grupime, gjykoj se në zgjedhjet e 2025, opozita duhet t’i ofrojë qytetarëve sa më shumë mundësi zgjedhjeje. Nuk mendoj se unifikimi me një lidership është më i vlefshëm për opozitën, është skemë e provuar dhe nuk ka rezultat.

Rruga e suksesit për opozitën shqiptare, dhe pse duke absurde, nuk është bashkimi rreth një njeriu, është të hyjë në zgjedhje me disa grupe.

Ka ardhur koha për të çarë një trajektore të re. Kur të mbarojnë zgjedhjet të krijojmë një qeveri të përbashkët. Secili grup të marrë mbështetjen që grupimi tjetër si merr., kjo do të sjellë edhe fitoren.
I ftoj kolegëve t’i kthehemi politikës me programe politike. Po punoj për një grupim të ri, do hyjmë në zgjedhje me këtë ide. Mund të bëhet një koalicion i ri.

Duam tu kthejmë shqiptarëve një opozitë kundër Ramës. Platformën e kemi gati. E para gjë është të kemi një jetë parlamentare normale”, tha ai.