Kafshët në veri të Rripit të Gazës, ku ushtria izraelite bllokon ardhjen e ndihmave humanitare për rreth 4 muaj, kanë filluar të ushqehen me krijesa që kanë ngordhur për shkak të urisë.

Përderisa Izraeli kryen sulme të pandërprera për 118 ditë në Rripin e Gazës ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë, parandalon hyrjen e ndihmave humanitare, përfshirë ushqime dhe furnizime mjekësore në rajonin që ka bllokuar plotësisht.

Palestinezët, të cilët hasin në vështirësi në gjetjen e produkteve bazë ushqimore, janë edhe dëshmitarë të ngordhjes së kafshëve si pasojë e sulmeve dhe urisë.

Macet dhe qentë e uritur në qytetin e Gazës dhe kampin e refugjatëve Jabalia në veri, të cilët iu nënshtruan një shkatërrimi të madh si rezultat i sulmeve izraelite, filluan të ushqehen me speciet e tyre dhe krijesat e tjera që ngordhën për arsye se nuk mund të gjejnë ushqim.

Sameh Zaynuddin, një nga banorët e kampit të refugjatëve Jabalia, në deklaratën për Anadolu tha se praktika izraelite e urisë së detyruar ka ndikuar në masë të madhe edhe te kafshët.

Ai tha se dhjetëra kafshë të ngordhur janë grumbulluar pranë zonave të grumbullimit të mbeturinave dhe disa filluan të dekompozohen. "Në kampin e refugjatëve Jabalia dhe në të gjitha rajonet në veri nuk ka ushqim të mjaftueshëm për t'u ushqyer. Prandaj prej disa javësh këto kafshë që nuk janë ushqyer kanë ngordhur nga uria", tha ai.

- "Njerëzit pothuajse do të vdesin nga uria"

Asma An-Najjar nga qyteti i Gazës nga ana tjetër, duke treguar një mace në afërsi të kontejnerit të mbeturinave, tha se kafsha e cila nuk mund të gjente ushqim, u përpoq të ngopej duke ngrënë kafshët e ngordhura.

"Njerëzit pothuajse do të vdesin nga uria, mendoni se në çfarë situate janë kafshët", tha ajo.

Kafshët e uritura u drejtohen edhe trupave të njerëzve që humbën jetën në sulmet izraelite.

Së fundmi në videot e shpërndara në mediat sociale mund të shihet se si macet dhe qentë e uritur ushqeheshin nga trupat e palestinezëve të cilët ushtria izraelite i vrau dhe pengoi qasjen e ambulancave në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

 

- Veterinari palestinez bën strehë për mbrojtjen e maceve

Veterinari palestinez Aid Abu Najm filloi të ndërtojë një strehë për të mbrojtur macet shtëpiake të braktisura në qytetin Rafah, në jug të Rripit të Gazës.

Ai tha se shumë mace kanë ngordhur si pasojë e sulmeve izraelite ose për shkak të urisë. "Lufta të cilën Izraeli ia shpalli Gazës, përveç njerëzve vrau edhe kafshët. Edhe kafshët u ndikuan nga kjo mizori e madhe", u shpreh ai.

Duke treguar se ushqimin e maceve që kishte marrë me shumë vështirësi ua dha maceve që mblodhi në strehë, Abu Najm tha se i mbron macet për t'ua kthyer pronarëve të tyre pas sulmeve të ushtrisë izraelite.

Pavarësisht se sa i lartë të jetë çmimi i ushqimit të maceve, veterinari palestineze tha se do të mundohet të vazhdojë t'i ushqejë.

Ai bëri thirrje që të ndalet lufta e Izraelit ndaj Gazës.

 

- "Izraeli përdor urinë si armë në Gaza"

Kreu i Organizatës Euro-Mesdhetare për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (Euro-Med), Ramy Abdu, në një deklaratë për Anadolu para disa ditësh tha se Izraeli është duke përdor urinë si armë për të larguar njerëzit nga Gaza.

Ai ka njoftuar se numri i kamionëve që hyjnë aktualisht me produkte të ndihmës në Gaza është 100 në ditë ose më pak, ndërkohë që para sulmeve kur Izraeli fillojë të kryejë gjenocid në Gaza kjo ishte mesatarisht 500 kamionë në ditë./aa