Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën është takuar me nënkryetaren e Mitrovicës së Veriut, Katarina Adançiq, nënkryetaren e Leposaviqit, Marina Bogojeviq dhe nënkryetaren e Zveçanit, Natasha Tomaniq

“Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serb të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave. Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu”, ka shkruar Kurti.
 

Sipas tij, komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte, dhe për adresuar sfida e vështirësi. “U jam mirënjohës nënkryetareve Adançiq, Tomaniq dhe Bogojeviq për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve”, ka shkruar ai. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ministrat e kabinetit qeveritar, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi. /KosovaPress/