Shërbimi Ndërkombëtar i Asistencës Policore (IPAS) i Qeverisë britanike ka mbërritur në Shqipëri për të mbështetur Policinë e Shtetit në punën e saj për reformimin e policisë dhe ngritjen e integritetit.

Ambasadori britanik, Alastair King-Smith me Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u takuan me oficerët britanikë për të diskutuar mbi punën që do të kryejnë me Policinë e Shtetit, përfshirë mbikëqyrjen e forcave, burimeve njerëzore dhe menaxhimin financiar, njoftoi sot ambasada britanike në Tiranë.

Ekipi i IPAS përbëhet nga tre ish-oficerë policie me përvojë në Mbretërinë e Bashkuar, të mbështetur nga një ekip shqiptar dhe Ambasada britanike në Tiranë.

Mbretëria e Bashkuar dhe Policia e Shtetit kanë krijuar një marrëdhënie të shkëlqyer operacionale dhe kjo mbështetje strategjike do t’i thellojë më tej aktivitetet tona të përbashkëta si dhe hapat për të luftuar korrupsionin./ata