Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin tha se sot kanë filluar të japin përgjigje për sulmin ndaj bazës amerikane.

Austin njoftoi se kanë filluar të japin përgjigjen ndaj sulmit të kryer kundër bazës amerikane në kufirin Siri-Jordani më 28 janar.

Ai theksoi se me sulmet ajrore u goditën të paktën 85 objektiva që i përkasin Forcës Quds të Gardës Revolucionare të Iranit dhe grupeve milice të lidhur me të në Irak dhe Siri.

"Ky është fillimi i përgjigjes sonë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzim që të ndërmarrim hapa shtesë për të mbajtur përgjegjës Gardën Revolucionare të Iranit dhe grupet milice të lidhur me të, të cilat kanë vendosur në objektiv forcat e SHBA-në dhe Koalicionit", tha Austin.

Sipas tij, SHBA-ja nuk po zhvillon konflikt në Lindjen e Mesme. "Do të vazhdojmë të japim përgjigje ndaj sulmeve kundër ushtarëve amerikanë", potencoi Austin./aa