Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot anëtarët e Grupit Parlamentar të Bundestagut për Evropën Juglindore, deputetët Thomas Hacker dhe Stephan Brandner, të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner.
Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Gjermania është mbështetëse e fuqishme e Shqipërisë dhe Bundestagu një referencë e rëndësishme, partner dhe mbështetës shumë i vlerësuar i Kuvendit të Shqipërisë. Berlini është jo thjesht destinacioni më i shpeshtë, por një nga destinacionet më të rëndësishme dhe më inspiruese për drejtuesit e qeverisë dhe institucioneve të Shqipërisë. Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë për mbështetjen e rrugëtimit europian dhe kjo ndihmë do të vijojë edhe gjatë negociatave. Kryesimi nga Shqipëria i Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023 rikonfirmoi kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe evropianizimi në rajon, por edhe mbështetjen e shumicës së vendeve të rajonit për aspiratën tonë të përbashkët drejt familjes evropiane. Vizitat e kohëve të fundit në Bundestag dhe në parlamentet e disa landeve ishin një shtysë e fuqishme për bashkëpunimin parlamentar”.
Deputetët e Bundestagut, Thomas Hacker dhe Stephan Brandner, vlerësuan se marrëdhëniet dypalëshe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë mbështeten në vlerat e respektit, besimit dhe bashkëpunimit dhe bashkëpunimi dypalësh mes dy vendeve si edhe mes Bundestagut dhe Kuvendit do të vijë duke u zgjeruar. Shqipëria duhet të jetë krenare për arritjen në rrugën drejt BE-së dhe për këtë mbështetja e Gjermanisë dhe e Bundestagut do të vijojë të rritet.
Kryetarja Nikolla dhe deputetët e Bundestagut diskutuan edhe mbi rritjen e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Bundestagut, duke vlerësuar si domethënës faktin që është rënë dakord për zhvillimin reciprok të vizitave informuese mes deputetëve shqiptarë e gjermanë të Grupeve të Miqësisë, në Berlin dhe Tiranë, dy herë në vit.
Në përgjigje të kërkesës së Kryetares Nikolla, Hacker dhe Brandner u angazhuan se Bundestagu do të ndihmojë Kuvendin për modernizmin e shërbimeve parlamentare, sidomos atyre që lidhen me mbështetjen e procesit të integrimit europian./ata