Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku zhvilloi sot një takim me kreun e Delegacionit të BE në Tiranë, ambasadorin Silvio Gonzato.
Mazniku u shpreh se, në takim u diskutua mbi planin e Ministrisë së Pushtetit Lokal për të fuqizuar pushtetin vendor në Shqipëri.
“Do të rrisim kapacitetet e bashkive me fokus në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të qenë konkurruese në përfitimin e fondeve të Bashkimit Europian”, theksoi Mazniku.
Ndërsa ambasadori Gonzato u shpreh se, “bashkitë luajnë rol vendimtar në procesin e integrimit në BE, pasi rreth 70 % e zbatimit të acquis në Shqipëri do të ndodhë në nivel lokal”.
“Gjatë takimit të sotëm me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbër Mazniku, ramë dakord që përfshirja e bashkive, ndërtimi i kapaciteteve vendore dhe rritja e autonomisë financiare për të siguruar që bashkitë mund të ofrojnë shërbimet e duhura për qytetarët, janë thelbësore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Vitet e fundit, BE ka rritur mbështetjen e saj për bashkitë në Shqipëri dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, nënvizoi ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato./ata