Shqipëria dhe Italia kanë konkretizuar marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, si një hap që çon përpara rritjen e prezencës së prodhimeve shqiptare në tregjet italiane, përmes adoptimit të teknologjisë italiane në mekanizim dhe teknika agronomike.

 

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e pranishme në forumin e biznesit Shqipëri-Itali që u zhvillua në Tiranë, ftoi sipërmarrësit e pranishëm në takimin me  përfaqësitë më të larta të biznesit italian dhe shqiptar, të nisin bashkëpunimin duke krijuar kompani të përbashkëta në bujqësi dhe agrobiznes.

 

“Dy qeveritë tona e kanë dhënë shenjën se e kanë seriozisht dhe pozitivisht e me vullnet të plotë angazhimin për mbështetjen e sipërmarrjeve në bujqësi. Tashmë është përgjegjësia juaj për ta konkretizuar në rritje të shkëmbimeve tregtare, rritje të cilësisë dhe konkurrueshmërisë së produktit shqiptar, rritje të adoptimit të teknologjisë italiane në operatorët shqiptarë dhe më pas rritje të prezencës së prodhimeve tona në tregjet italiane”, u shpreh ministrja.

 

Krifca ftoi bizneset të krijojnë sipërmarrje të përbashkëta të cilat rrisin cilësinë e prodhimit shqiptar nëpërmjet teknologjisë italiane.

 

“Duhet të shkëmbehen profesionistët mes kompanive për të përftuar eficiencën maksimale të standardeve të punës”, tha Krifca, teksa bëri apel për konkretizimin e kontratave me akses në tregjet italiane dhe botërore të produktit shqiptar.

 

Krifca tha se, “bizneset shqiptare dhe italiane duhet të ndërtojnë brand-e të përbashkëta që rrisin vlerën e prodhimeve që ne dimë t’i bëjmë mjaft mirë, duke rritur aftësinë konkurruese të produkteve të të dy vendeve njëkohësisht”.

 

“Pse jo mos të jemi dëshmitarë të lindjes dhe rritjes së etiketave me origjinën e përbashkët italo-shqiptare?- tha Krifca.

 

Ministrja u shpreh se, gjatë vitit të kaluar pamë se zinxhirët tregtarë dhe lidhjet e konsoliduara të vendeve në lidhje me produktet ushqimore u destabilizuan dhe ende sot që flasim nuk janë kthyer dot plotësisht në normalitet.

 

“Ndoshta ky është normaliteti i ri”, tha ajo, teksa solli në vëmendje se, shtete si Shqipëria dhe Italia apo vende të tjera në Europë dhe në planet, vepruan shpejt dhe me vendosmëri për të vendosur zinxhirë më të shkurtër dhe më të qendrueshëm prodhues – tregtarë, përballë situatës së krijuar nga kriza.

 

Krifca tha se, “Italia mund të mbajë një rol edhe më të rëndësishëm në të ardhmen, duke mbjell sot rrënjët e një historie suksesi bashkëpunimi me Shqipërinë që lidhet me prodhimin bujqësor, agropërpunimin dhe produktet agroushqimorë të ekselencës dhe njëkohësisht të traditës”.

 

“Shqipëria ka treguar se është një partner i besueshëm ndër dekada. Është e rëndësishme që këtë sukses në bashkëpunimin tonë ta shtrijmë edhe në ekonominë agroushqimore duke bashkëpunuar me prodhuesit tanë për të rritur vlerën e prodhimeve të tyre përmes dijes e po ashtu për të ngritur më tej epërsinë e dietës mesdhetare për konsumatorët tanë”, u shpreh ministrja në fjalën e saj.

 

Forumi i biznesit Shqipëri- Itali, u organizua në kuadër të vizitës zyrtare që zhvilloi në Tiranë, ministri italian i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë i Republikës së Italisë Francesco Lollobrigida, bashkë me 30 kompanitë italiane të përfaqësisë më të larta të sipërmarrjes italiane, me ftesë të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

 

/ATSH