Marash Kumbulla ishte legjionari i vetëm kuqezi në Serie A që ndryshojë ambient. Qendërmbrojtësi kuqezi u transferua nga Roma te Sassuolo në formë huazimi pa asnjë obligim, një huazim i thatë deri në fund të këtij sezoni. Kjo lëvizje i shkon për shtat Kumbullës pasi te Roma aktivizimi i tij ishte në dyshim, ndërsa te Sassuolo shpreson të ketë minuta të rëndësishme për të qenë në dispozicion të Shqipërisë në “Euro2024”. Kumbulla është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i rëndë që pësoi, fakt që pranoi vetë lojtari në një intervistë për faqen zyrtare të klubit:
“Jam rikuperuar plotësisht, pasi kisha edhe një shqetësim të vogël muskulor. Po stërvitem me skuadrën dhe do të mundohem të qëndroj sa më gjatë në fushë”, u shpreh fillimisht Kumbulla duke u ndalur më pas te transferimi i tij te Sassuolo: “Ka qenë gjithçka shumë e shpejtë. Agjenti më tha se duhet të shkosh te Sassuolo për vizitat mjekësore. Kam folur edhe me Nedim Bajramin, që përpara se të nisesha dhe më ka thënë që po të pres këtu. Mbërrita dhe jam i lumtur për këtë”, theksoi Kumbulla duke bërë në fund edhe një koment për ekipin kombëtar:
“Për mua Kombëtarja shqiptare është shumë e rëndësishme sepse është ajo që kam dashur gjithmonë. Familja ime është shqiptare, edhe pse unë kam lindur në Itali. Kam pasur mundësi të zgjedh dhe zgjodha Shqipërinë sepse zemra ishte më shumë për të. Në Europian ndeshja e parë është kundër Italisë. Nuk e prisja, sepse është e vështirë të luash kundër, por Kombëtarja është mbi të gjitha. Do të jetë emocionuese dhe shpresoj të jem dhe të fitojmë ne”, u shpreh Kumbulla.