Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se “PS është në një proces të fortë dhe të rëndësishëm dhe ne jemi të vetëdijshëm që është më e nevojshme se asnjëherë më parë një hapje e madhe e partisë dhe një përfshirje sa me e gjerë e atyre që kanë dëshirën dhe nevojën e brendshme të kontribuojnë dhe të krijojnë hapësirën e tyre”.

Në një prononcim për mediet para nisjes së Asamblesë së Partisë Socialiste , Rama tha se “kjo është një mbledhje pune, raportimesh dhe diskutimesh  lidhur me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për të zgjeruar tërësisht PS-në dhe për ta përgatitur për fitoren e radhës”.

“Nuk kemi sot asnjë plan për të bërë ndryshime. Jemi mbledhur këtu për të bërë një analizë dhe për të ndërmarrë veprime të tjera. Fjala ndëshkim nuk i shkon organizimit të një familje politike, ndërkohë që riorganizimi nënkupton lëvizje në funksion të bërjes sa më mirë të punës”, tha Rama.

Partia Socialiste organizon sot Asamblenë, ku në fokus të saj do të jenë jo vetëm zgjedhjet parlamentare të 2025, por edhe riorganizimi i strukturave të PS./ata