Rritja e numrit të turistëve vendas dhe të huaj të interesuar për turizmin natyror dhe të aventurës kanë futur në hartën e investimeve edhe rrugën Arras-Fushë Lurë.
Kjo rrugë është pjesë e projektit të mundësimit të turizmit dhe infrastrukturës me një vlerë 40 milionë euro që përfshin asistencë teknike dhe grante nga Bashkimi Europian dhe që plotësohet edhe nga një hua sovrane e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për qeverinë shqiptare.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit si autoritet konktrakt5or njoftoi në sistemin e BERZH lidhur me rrugën e fundit ku do të ndërhyhet dhe që ka në thelb përmirësimin e aksesit për turistët në këtë zonë të Dibrës.
“Seksioni i rrugës Sine (Arras) – Fushë Lurë është pjesë e rrugës Peshkopi – Fushë Lurë. Kjo rrugë është aksi kryesor që lidh qytetin e Peshkopisë me Fushë Lurën dhe zona të tjera pranë këtij fshati. Kohët e fundit kjo rrugë përdoret gjithnjë e më shumë nga turistët vendas dhe të huaj, sidomos gjatë verës, për të shijuar turizmin malor dhe atraksionet e ndryshme të zonës. Ndaj, rehabilitimi i këtij aksi është bërë shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për tërheqjen e më shumë turistëve dhe lehtësimin e tregtisë dhe komunikimit mes banorëve të Peshkopisë dhe atyre të të gjithë fshatrave të shpërndarë në zonën e Fushë Lurës.
Fusha e punimeve do të përfshijë seksionin rrugor të sipërpërmendur në Bashkinë e Dibrës. Rrethi i Dibrës ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë dhe karakterizohet nga një reliev kodrinoro-malor” thuhet në publikimin e FSHZH në faqen e BERZH .
Duke u ndalur në elementë më të detajuar të projektit nënvizohet se seksioni rrugor që do të rehabilitohet plotësisht ka një gjatësi totale prej 2,144 m; fillon në kryqëzimin që lidh rrugën kryesore me fshatin Sine dhe përfundon në kryqëzimin me rrugën nga Arrasi në Fushë Lurë. Ky seksion rrugor ka nevojë për ndërhyrje serioze për forcimin e kapacitetit të ngarkesës së rrugës, ndërtimin e mureve të rinj mbajtës, pak kanale dhe punime riparimi në tobinot ekzistuese dhe një urë, si dhe punime të tjera për rritjen e nivelit të sigurisë për përdoruesit e rrugës.
“Midis Arrasit dhe Fushë Lurës do të kryhen punimet e asfaltit (shtresa e veshur me trashësi 4 cm) dhe instalimi i mbështetësve në vende të caktuara (gjithsej 7000 m) për një gjatësi totale prej përafërsisht. 20 km.
Së fundi, karrexhata rrugore ekzistuese e rehabilituar do të jetë 6 m e gjerë, e përbërë nga dy korsi të asfaltuara, 2.5 m e gjerë në çdo drejtim, plus 0.5 m e gjerë shpatulla në çdo drejtim. Shpejtësia e projektimit ka qenë përgjithësisht 50 km/h, megjithëse në seksione të caktuara shpejtësia e projektimit është ulur në 30 km/h për shkak të shtrirjes veçanërisht të vështirë haset” vlerëson FSHZH./Monitor