Raportohet se është bërë përparim në negociatat mes Izraelit dhe Hamasit për një marrëveshje të re për shkëmbimin e pengjeve.

Në lajmin e publikuar në gazetën izraelite "Haaretz", thuhet se "negociatat mes Izraelit dhe Hamasit për një shkëmbim të ri të pengjeve ishin konstruktive".

Lajmi, bazuar në një burim të huaj të paidentifikuar, theksoi se ka pasur një përparim në negociatat ditët e fundit.

Në lajm thuhet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili refuzoi propozimin e Hamasit, dërgoi një delegacion, duke përfshirë drejtorin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Mossad, David Barnea dhe drejtorin e Agjencisë së Sigurisë së Brendshme Shin-Bet (Shabak), Ronen Bar, në Kajro, për të marrë pjesë në negociata.

Në kuadër të negociatave për shkëmbimin e ri të pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, në Paris të Francës u zhvilluan bisedime më 28 janar.

Përveç Barnea dhe Barit, në takim morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), William Bill Burns, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdurrahman Al Thani dhe drejtori i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamil.

Pas bisedimeve në Paris më 7 shkurt, Hamasi paraqiti një plan që parashikonte një shkëmbim të pengjeve në tre faza dhe armëpushim.

Netanyahu, nga ana tjetër, hodhi poshtë propozimin e Hamasit në një konferencë për shtyp më 8 shkurt dhe tha se ata kishin urdhëruar ushtrinë të përgatitej për një sulm në qytetin Rafah, në jug të Rripit të Gazës./aa